Do ta ndryshojmë qasjen në dialog me Kosovën”, Vuçiç: Pres lajme të këqija për ne!

17/03/2024 12:33

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të dielën se pret “vetëm lajme të këqija” për vendin e tij dhe se Serbia do ta ndryshojë qasjen në dialog me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE)”, tha Vuçiç.

Vuçiç, duke folur për anëtarësimin e Kosovës në KE, tha se “ne u thamë atyre se çfarë do të ndodhte nëse kjo do të ndodhte. Sepse mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen në mënyrë të rreme, jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por në mënyrë të rreme”.

“Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës”, shtoi ai.

Në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbisë i kërkohet, ndër të tjera, edhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova shpreson se do të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pasi më 13 mars Qeveria e Albin Kurtit i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Kryeministri Kurti tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën do të ishte vendimtar për pranimin e Kosovës në KE, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë të cilën Qeveria e pret të ndodhë në muajin maj.

Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha për Radion Evropa e Lirë të premten se janë disa vende evropiane që po i kërkojnë edhe dy kushte për anëtarësimin e Kosovës.

“Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha ai.

Vuçiç, po ashtu, paralajmëroi ndryshime në qasjen e shtetit të tij në dialog.

“Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjet tona. Nuk do te na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të behet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, theksoi ai.

Të martën, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruskel për të biseduar në kuadër të dialogut çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt.

Escobari tha për REL se nuk arriti ta bindë kryeministrin Kurti gjatë vizitës së tij në Prishtinë këtë javë, që pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Vuçiç – shteti i të cilit ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë – i akuzoi autoritetet kosovare për zbatimin me forcë të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme.

“Mund të zbatosh gjithçka me force, por duhet të pranosh që e ke zbatuar me force. A do të duhet të pranojmë ndonjëherë, është e mundur, por do të jetë e qartë se nuk ka një pajtim për këtë dhe se e keni zbatuar me force. Do të flasim në një mënyrë tjetër. Jemi gjithmonë të gatshëm të dialogojmë, por tani me një qasje tjetër. Ne nuk jemi më budallenj”, theksoi Vuçiç./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA