“Dërrmimin e opozitës e patë në 20 shkurt, do e shihni edhe pranverën tjetër”, analiza e Gjekmarkajt për mbledhjen e PS: Ishte asambleja e “shenjtoreve” të plakur

17/03/2024 13:33

Nga Agron Gjekmarkaj

Pas 12 vitesh në pushtet, të vjetër oh sa të vjetër, në gjithçka, të njëjtat rradake vërtiten sa në një karrige në një tjetër, të njëjtat fjalë e kumte të zvargura, të njëjtat buzëqeshje fajtorësh, e njëjta fuqi infektuese banaliteti, e njëjta paturpësi, gjysma në burg e gjysma tjetër nisur për atje mazhoranca që tek skandalet gjen fillin për tu ringritur si Anteu u mblodh me bë sefte plazhin në Gjiun e Lalezit në këtë behar. Bekuar qofte deti i gjërë, na lan mekatet thanë njëzëri, na heq ndezullinë dhe roshkun, na bën terbiet.

Vaj e kremëra me vete për lekuren që as skuqet as zverdhet e regjur shollë nga makutëria u duken atij bregu. Burra e gra njëzëri bertitën urraa urraaa! Bereqet bereqet jemi në selamet.

Me gjuhen mushk si arra të pathyera në gojë vikasin “ne jemi punë mbaruar”, “Ne jemi punë kryer”, “nuk jemi më të mirët po më të mirë nuk ka”, “ ne jemi krenarë”,” ne jemi misionarë” hypur mbi gomar, këta lejfenë krijues të gjuhes së re, përvetësues të së mirës, të së bukurës, të së drejtës, pa idealizmin ideologjik të kinezit të ngratë ju ngërdheshen shqiptarëve të hutuar në labirinthet e bashkohësisë.

Na u plak Kryeministri dhe ministrat para syve. Zeri i tyre si i mizave në zheg të njëjten kënaqesi shpërndan.

Rraqe që ironia e fatit na i la nëpër këmbë grumbulluar mbi një karro me goma të shfryra e tërhequr nga “Skenderbeu” i vetmuar dhe lodhur përsërituri të njëjtat qyfyre.

Surratqerepët, kodoshët, zullapët qafëtrashë qytetarëve u marrin paratë, dhe kanë dorë të rëndë, i klasifikojnë në parcela patronazhimi, i rrejnë, i kërcenojnë në një kapje kapilare të shtetit dhe institucioneve ndaj edhe shpallen “derrmimin” e Opozites. Pastaj i shohin vënger drejt e ne sy tek ju thonë, ne jemi moderniteti, lezeti e sherbeti.

Ne e duam pushtetin t’ju bejme mire ju more laneter që po na lodhni e plakni u thonë, se duam per vete se ne jemi religjioze, idealiste, progresiste, si ju shkon mendja të na e hiqni ë?! Haramsez!

Me rroskop njëri se tjetri në ide. Me guximtar njëri se tjetri në servilizem. Gojërrumbull e fytyrë kungull asambleisti vigjelon, merr shenim, raporton dhe urdhëron.

Po, në mesditë asambleja u mblodh!

Dielli i buzëqeshjes së tyre misionare ra mbi ne. Si kryetarë koperativash në vitin 1991 por mbuluar me rroba firmato, Idealistë të kauzave të medha gromësijnë me duhem e taft mbi tavën e boshatisur pasi kanë ndarë llokmat!

Me gjuhë kauçuku, me muskuj teneqeje, me barkun lastik karvani i “shënjtorve” brohoret “përjetësi”, “përjetësi” prina o Mesi!

Në një liber të shënjtë thuhet “mallkuar qoftë e tepërta”! Ja keni merzitur dheut more qerratenj.

Biologjinë e keni kundër, shokët në qeli pa duhan, moralin publik po, kohën po aq, zullumet gjerdan në qafë ju kerrusin, shqiptaret gjithnjë e me shumë! “Derrmimin”  e Opozites e patë me 20 Shkurt do e shihni çdo ditë deri pranverën tjetër kur të filloni procedurat per azil a lutjet per avokat.

Nuk do ju mjaftojnë pleudaritë e qashtra të Mamicës per t’ju justifikuar ajo do jetë e zënë për të mbrojtur Skenderbenë e pafan si dhe duke bërë pako me kryqin e kuq për shoket në hapsana e kurbet.

Top Channel