Tmerrohet stafi i kopshtit belg kur luani masakron luaneshën me të cilën duhet të çiftohej (fotot)

16/03/2024 16:14

Një kopsht zoologjik në Belgjikë kaloi nga ‘krenaria në trishtim’ brenda një dite kur luani copëtoi barbarisht luaneshën që kishin sjellë për t’u çiftuar me të, para kujdestarëve të tmerruar të stafit.

Nestor e Maya pritej të miqësoheshin dhe rrjedhimisht të çiftoheshin pas prezantimit të tyre disa ditë më parë si pjesë e programit të mbarështrimit të parkut zoologjik.

Më parë zonat e tyre ndaheshin nga barriera në mënyrë që të mësoheshin me erën e njëri-tjetrit, thonë zyrtarët e kopshtit zoologjik Bellewaerde, në Ypres.

Të dy felinët e mëdhenj ishin sjellë nga kopshti i Antwerp si pjesë e programit të ruajtjes së specieve të rrezikuara.

Çdo gjë dukej se po shkonte mirë aq sa stafi menduan të heqin barrierat mes tyre.

Por situata u përkeqësua shpejt dhe luanët nisën të tregonin shenja agresioni.

“Ata nisën të përlesheshin dhe Nestor e kafshoi Maya në fyt. Sinjalet tona të alarmit që Nestor të kthehej në ndarjen e tij nuk funksionuan”, tha zëdhënësi Filip Van Dorpe duke shtuar se luanesha humbi jetën megjithë tentativat për ta shpëtuar.

Luani kishte pasur më parë një partnere me të cilën kishte shkuar mirë, pa asnjë shenjë agresioni të tillë.

Van Dorpe e quante incidentin ‘shumë të pafat’.

“Ne e dimë që ato janë kafshë të egra dhe kjo ndodh në natyrë. Jemi shumë të trishtuar, i gjithë stafi këtu në Bellewaerde. Kaluam nga krenaria në trishtim brenda një dite”.

Kujdestarët e kopshtit të Antwerp, ku Nestor ka lindur thonë se kanë kujtime të bukura me luanin mashkull, shkruan rrjeti VRT News.

Ish-kujdestarja Ilse Segers, shprehu dhimbje për ngjarjen.

“Ishte e pabesueshme për ne, pasi nuk ka treguar kurrë shenja agresioni në vendin e lindjes. Ishte një luan pak i turpshëm kur ishte i ri por prej atëherë ishte normalizuar. Vetëm nuk donte njeri afër kur ishte duke ngrënë”.

Megjithë incidentin programi i shtimit do të vazhdojë por duhet të kalojë ca kohë para se Nestor të prezantohet me një tjetër luaneshë, shkruajnë mediat vendase/ Metro.co.uk/

FOTO GALERI
1/4
Nestor e Maya pritej të miqësoheshin dhe rrjedhimisht të çiftoheshin pas prezantimit të tyre disa ditë më parë

Top Channel