Strategjia e bujqësisë/ Më 27 mars fillojnë aplikimet për subvencionet për fermerët

16/03/2024 15:55

Nga 27 marsi në Shqipëri do të fillojnë aplikimet për fermerët që duan të subvencionohen nga shteti për prodhimet e tyre.

Kështu vendimi i Ministrisë së Bujqësisë bën me dije se këtë vit prioritet financimi do të kenë të gjithë ata që bashkohen me njëri-tjetrin, ku sa më e madhe sipërfaqja, aq më i madh dhe përfitimi financiar.  Në fletore zyrtare janë bërë me dije kategoritë që do mbështeten. Në këtë mënyrë do të ketë pagesa deri në 10 000 lek/ krerë lopë për jo më pak se 10 krerë. Pagesa deri në 1200 lek për fermerët me jo më pak se 100 krerë dele ose dhi.

Pagesa deri në 1000 lek për zgjua për fermerët me jo më pak se 50 zgjoje. Pagesa deri në 200 000 lek për ha dhe për jo më shumë se dy sezone për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe luleshtrydheve për fermerët me jo më pak se 1 ha. Për herë të parë pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën deri në 30,000 lek/ha për fermer jo më pak se 1 ha. Gjithashtu do të subvencionohen ata që kanë ferma organike të certifikuara si dhe sipas standardit global GAP në masën 50% të kostove.

Prioritet i këtij viti sipas qeverisë do të jetë financimi i fermave që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, që sipas ekspertëve është një hap pozitiv.

“Janë hequr disa nga limitet e skemës e mëparshme, limiti i sipërm duke mundësuar që edhe kompanitë e mëdha apo subjektet e mëdha të përfitojnë një sasi më të mëdha fondesh që kanë përfituar deri më sot. Bëhet fjalë për kooperim në mënyrë që të përfitojnë nga kriteret që skema ka vendosur në mënyrë të tillë që fermerët që nuk kanë sipërfaqen e duhur më pak se 1 hektarë është e domosdoshme të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin përmes një dokumenti të mundshëm që është miratuar dhe ata të mundësojnë të përfitojnë dhe të disbursojnë disa nga fondet e skemës kombëtare”, tha Agrim Rrapaj.

Sipas ekspertëve skema në të ardhmen duhet të reflektojë një ndryshim rrënjësor që është subvencionimi për njësi prodhimi

“Skema për njësi prodhimi është skema më e mirë, që ndihmon në formalizim, që ndihmon në rritjen e prodhimit por edhe në cilësinë e saj. Nëse ne do të fusim tek skema kombëtare mbështetjen për cilësinë e parë të prodhimit të qumështit dhe të mishit dhe te disa produkte të tjera të cilësisë së parë ne besojmë se do të kemi ndryshim rrënjësor në prodhim”, tha Agim Rrapaj.

Skema e këtij viti do të jetë gati 1.8 miliardë lekë më e ulët se gjatë vitit të kaluar, me premtimin për rishikim në mesin e vitit, ndërsa është hequr subvencionimi për kulturën e grurit, që u aktivizua vitin e kaluar si emergjencë nga lufta në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA