Pas festivalit të 11-të filluan dhe shkarkimet dhe burgosjet e figurave më të larta në fushën e artit dhe kulturës.
Spartak Ngjela tregon për “Excluzive” në Top Channel momentet kur ishte planifikuar edhe dënimi i shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.
Sipas tij, vetëm një sinjal i ambasadorit shqiptar në Francë, e shpëtoi Kadarenë nga dënimi.
Alda Bardhyli: Viti 1973-74 ka qenë një periudhë e vështirë edhe për vetë shkrimtarin Kadare. Është viti kur ai boton “Dimri i vetmisë së madhe”, një roman që temën e merr pikërisht nga mbledhja e Moskës, raporti i Shqipërisë komuniste me vendet e Bashkimit Sovjetik. Personazh kryesor në roman është vetë Enver Hoxha. Romani u botua, u kritikua, u ndalua dhe më pas me vetë lejen e Enverit u rikthye në librari.
Spartak Ngjela: Enveri do godiste Kadarenë dhe u mblodh menjëherë elita kulturore e Parisit. Ambasadori shqiptar në Francë që ishte shkrimtar, i nivelit jo të vogël dhe personalitet, i dërgoi sinjalin dhe i tha “këtu janë mbledhur të gjithë, sa të goditet, do ta shpallin disident”. Enveri kishte marrë të gjitha masat për ta dënuar në Pleniumin e Partisë. Është e shkruar kur tha “nuk i jap Perëndimit asnjë disident, nuk goditet Kadareja”.
Alda Bardhyli: Roli i Kadaresë, pozitat e tij pas viteve 70 kanë qenë shumë të dobëta dhe kanë qenë momentet më të vështira të karrierës së tij si shkrimtar në Shqipërinë komuniste.
Viktima do të ishin ata artistë të cilët vetëm disa muaj më parë u vlerësuan për elementin novator. U dënuan me burg Edison Gjergo dhe Ali Oseku, ndërsa piktori Edi Hila u dënua si punëtor krahu në ndërmarrjen e ritjes së shpendëve. Fatin e Gjergos dhe Osekut do ta ndiqnin disa vite më vonë, Maks Velo dhe Vangush Tushi.
Top Channel