Mbërrijnë ndihmat e para nga deti në Gaza, 200 ton ushqime nga SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

16/03/2024 14:27

Ndihmat e para nga deti për Gazën janë shkarkuar tashmë në brigjet e territorit të përballur me një konflikt të ashpër, dhe katastrofën humanitare që e pasoi.

Pas këtij misionit siç pohon BBC, qëndron organizata bamirëse amerikane, World Central Kitchen, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ngarkesa përfshinte 200 ton ushqime të domosdoshme për banorët e territorit të pllakosur nga uria si fasule, miell, vaj, kripë, oriz, misër, dhe hurma. Kjo dërgesë është parë njëkohësisht si testimi i parë për rrugën detare të ndihmave, e cila mund të dëshmohet më efikase sesa ndihmat ajrore dhe tokësore.

Lëvizja vjen në kohën kur agjensitë e ndihmës e kishin akuzuar Izraelin se po pengonte dërgimin e ndihmave në enklaën e gjunjëzuar nga lufta, akuza këto të cilat shteti hebre i mohon me forcë. Autoritete izraelite insistojnë se në fakt, janë duke e lejuar kalimin e ndihmave në dy pika në jug të Gazës dhe fajin për situatën e krijuar ia faturojnë vetë agjensive të ndihmës, dhe atyre që i përshkruajnë si dështime të tyre logjistike.

Pak detaje ka se si do të funksionojë shpërndarja e ndihmave me OKB-në e cila flet gjithashtu për pengesa të mëdha për furnizime.

Suksesi i këtij misioni detar me shumë gjasë mund të pasohet nga anije të tjera si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të dërguar më shumë ndihma në Gaza, pjesa më e madhe e të cilës është shkatërruar që prej nisjes së operacioneve ushtarake pas sulmit të Hamasit në 7 tetor të 2023 në tokën izraelite. Prej atëherë, në konflikt llogaritet të kenë humbur jetën më shumë se 31,400 palestinezë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA