Dy Koretë në “prag konflikti”? Kim Jon Un teston tankun e ri, bën thirrje për luftë!

14/03/2024 10:25

Retë e luftës duket po i afrohen sërish gadishullit Korean. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, iu bashkua trupave të tij në testimin e përdorimit të tankeve më të reja luftarake të vendit e zgjodhi pikërisht këtë moment për të lëshuar një apel në të cilin kërkonte shtimin e përpjekjeve për t’u përgatitur për luftë.

Manovrat me tanke të veriut komunist u cilësuan si  përgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake vjetore të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat pritet të përfundojnë pasditen e sotme.

Peniani i sheh gjithmonë me shqetësim stërvitjet e rivalëve, të cilat i konsideron si një lloj përgatitjeje për pushtim. Stërvitja e fundit e Veriut kishte për qëllim vlerësimin e aftësive luftarake të tankistëve dhe në të u përfshi një lloj i ri i tankut të luftës, të cilin Kimi e quajti “tanku më i fuqishëm në botë”, sipas agjencisë koreane të lajmeve, KCNA. Tanke të rënda manovruan në rrethana të ndryshme të vështira luftarake dhe goditën me predha shënjestrat. Kim Jong un u ngjit në njërin prej tankeve të tipit të ri dhe e drejtoi atë vetë, sipas KCNA-së.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Veriut u zotua se do të kryente “aktivitete përgjegjëse ushtarake” si përgjigje ndaj stërvitjeve të vazhdueshme ushtarake nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut në Seul, më e fundit e të cilave përfshiu ushtrimin e postit komandues të stimuluar me kompjuter dhe 48 lloje të tjera të stërvitjeve tokësore, që ishin dyfish më shumë se ushtrimet e mbajtura vitin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA