Bankat, fitime marramendëse/ Ekspertët: Kursimet e shqiptarëve vlerësohen pak! Kreditë shtrenjtohen

14/03/2024 19:35

Bankat janë në rrugë për të thyer rekordin e vitit të mëparshëm sa i përket fitimeve të tyre.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në janar fitimet u rritën me 65% në krahasim me një vit më parë në vlerën e mbi 3.7 miliardë lekë ose 35.6 milionë euro fitim.

Sipas ekspertëve bankat po përfitojnë mbi normalen e tregut për shkak të disa faktorëve

“E para kjo rritje vjen nga diferenca mes marzheve të normave të kredisë dhe të depozitave, që është goxha e madhe. Një rritje e madhe e fitimeve vjen edhe nga bonot që dalin në anaknd që janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, që është një politiëk e qeverisë që kërkon të rrisë më shumë borxhin e brendshëm në krahasim me atë të jashtëm. Kemi edhe një përfitueshmëri që vjen nga tarifat e rritura për shërbime të ndryshme”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Dhe ndërsa fitimet rriten gjithnjë e më shumë edhe kostot për kredinë vijojnë të jenë të larta. Ekspertët shprehen se tregut i mungon konkurrenca efektive.

“Autoriteti Konkurrencës duhet të shikojë nëse kemi vërtet një treg oligopol në tregun bankar pasi shikojmë që me rritjen e depozitave, pra me rritjen e disponueshmërisë së parave nuk kemi ulje të kostove të kredisë, edhe pse ato i referohen normave të interesit. Bankat tona kanë edhe një qasje tregtare, pra nuk janë banka investimi dhe zhvillimi, kjo i frenon sadopak tendencat e një banke për tu bërë më e pranishme në treg”, shpjegoi Gjokutaj.

Vitin e kaluar sektori bankar regjistroi nivelin rekord të 32.5 miliardë lekë ose rreth 315 milionë euro fitime, që erdhën kryesisht nga rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë për të luftuar inflacionin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA