Shtyrja e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi: Nuk ka asnjë tërheqje nga ana e deputetëve të opozitës, po punojmë për të treja çështjet

13/03/2024 13:23

Deputeti Gazment Bardhi tha se nuk ka asnjë tërheqje nga ana e deputetëve të opozitës për dakordësinë e arritur nga PS dhe Rithemelimi.

Ai theksoi se po punohet për të treja çështjet e diskutuara në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Sipas Bardhit, nuk  ka asnjë marrëveshje me kryeministrin Edi Rama, por një marrëveshje në parim në Konferencën e Kryetarëve me qëllim rikthimin në normalitet të Kuvendit.

“Grupi ka mbështetur qëndrimin që kanë përfaqësuesit e vet, secili prej anëtarëve ka mbajtur në Konferencën e Kryetarëve, dua ta ripërsëris që për grupin normalizimi i jetës parlamentare qëllim i joni, por pa u nënshtruar dhe tejkaluar nevojën që ka Shqipëria për respektimin e Kushtetutës, ne i qëndrojmë dakordësisë në parim që kemi dhënë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, po punojmë për të treja çështjet, grupi i i PD i qëndron dakordësisë në parim, urojmë që kjo të finalizohet me vendimmarrje të Kuvendit. Secili është i lirë të shprehë lirinë e tij, e ka shprehur edhe në mbledhjen e grupit, nuk ka asnjë marrëveshje me Edi Ramën, ka një dialog me Konferencën e Kryetarëve për t’i dhënë zgjidhje situatës. Nuk ka asnjë tërheqje nga ana e deputetëve të opozitës, do të zbatohet Kushtetuta”, tha Bardhi.

Top Channel