Në një tjetër paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore, nëse kërcënohet shtetësia, sovraniteti apo pavarësia e saj.
Megjithatë, ai shtoi se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të frenohen nga veprimet të cilat mund të shkaktojnë konflikt bërthamor. Komentet e tij, të bëra përpara zgjedhjeve presidenciale në të cilat e ka pothuajse të garantuar sigurimin e një mandati të gjashtë presidencial, shkonin deri aty sa presidenti amerikan Joe Biden, të përshkruhej si një politikan veteran i cili i kupton rreziqet e mundshme të përshkallëzimit.
Edhe pse e nënvizoi se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë, përfshirë këtu pikëpamjen tekniko-ushtarake, shefi i Kremlinit e nënvizoi se nuk mendon që bota shkon drejt një lufte atomike.
“Moska është e gatshme të përdorë armë bërthamore, në rast se kërcënohet ekzistenca e shtetit rus, sovraniteti dhe pavarësia jonë. Trupat ruse janë vazhdimisht në një gjendje gatishmërie luftarake. Pastaj është edhe diçka tjetër e pranuar në masë të gjerë se triada jonë bërthamore, është më moderne se çdo treshe tjetër nukleare. Vetëm ne dhe amerikanët në fakt kemi triada të tilla. Dhe ne këtu i kemi avancuar shumë më tepër”, shprehet Putin.
Një kërcënim të ngjashëm, Putini e bëri edhe gjatë fjalimit përpara kombit në muajin shkurt, kur e paralajmëroi Perëndimin se thellimi i përfshirjes së tij në luftën në Ukrainë rrezikon nxitjen e një lufte bërthamore. I pyetur në intervistë nëse e ka menduar ndonjëherë përdorimin e armëve bërthamore në fushëbetejë në Ukrainë, Putini theksoi se nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë.
Top Channel