Përfundon seanca për “Gërdecin” dhe seanca e radhës do të mbahet më 27 mars.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk pranoi sot të jepte deklarime për SPAK dhe u shpreh se do të pranojë të pyetet në fund të procesit.
“E nderuar Znj.Gjyqtare! Në seancën e kaluar prokurori kërkoj që unë të pyetem.Që në krye të herës dua të them se:
Pavarësisht se ky proces penal kundër meje ka nisur dhe po vazhdon në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, kam zgjedhur të respektoj intitucionin e Gjykatës dhe Prokurorisë dhe kundërshtimin ndaj kësaj paligjshmërie ta bëj në këtë sallë.
Nuk kam bërë politikë me këtë cështje dhe pse sic theksova, paligjëshmëria për cdo njeri me dije minimale juridike është flagrante dhe nuk i jam shmangur apo larguar qoftë edhe një cast përballjes me drejtësinë në këto 17 vite.
Kam qenë këtu në cdo seancë për të dëgjuar me vëmendje të gjithë dëshmitarët me të cilët akuza pretendon të provojë fajësin time.
Asnjëri prej tyre nuk ka dëshmuar qoftë edhe një fjalë të vetme kundër veprimeve të mia, madje kanë treguar qartë se Ministri nuk ka përcaktuar Gërdecin, nuk ka përcaktuar kalibrat si dhe nuk ka përgjegjësi për zbatimin e Rregullores së trajtimit të municioneve sepse ato janë cështje tërësisht ushtarake. Ministri si autoritet civil drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes, ka respektuar vendimet e strukturave civile dhe ushtarake të ngarkuara me ligj. Nuk ka asnjë dëshmi që të kem, injoruar dhe ndikuar në asnjë rast vendimarrjen e tyre. Kam zbatuar ligjin dhe detyrat e mija si Ministër i Mbrojtjes. Kam kërkuar nga strukturat ushtarake dhe civile të raportojnë detyrat e ngarkuara me ligj në mënyrë periodike tek autoritet e tyre drejtuese dhe tek Ministri.
Nuk ka pasur asnjë raportim për moszbatim të detyrimeve ligjore apo rregullave të trajtimit të municioneve. Do të jem këtu në cdo moment për të debatuar dhe vlerësuar cdo dokument apo fakt që kërkon të sjell prokuroria si provë në këtë proces. Kam bindjen se vlerësimi i paanshëm dhe i vërtetë me ekspertë i akteve të ekspertimeve ushtarake, ekonomike dhe fakti pse ka ndoshur ngjarja, do të hidhnin dritë mbi të vërtetën e cila manipulohet qëllimisht prej 17 vitesh. E nderuar Znj. Gjyqtare, për 17 vite unë nuk jam pyetur. SPAK për dy vjet nuk më pyeti dhe hetoj cfarë donte, padyshim kjo është detyra e SPAK të hetojë, por mendoj se në dy vite duhet të kishte pasur vullnetin për të dëgjuar dhe të vërtetën time për të bërë drejtësi dhe për të ndryshuar edhe veprimet e qëllimshme të ish-Prokurorëve. Për fat të keq kjo nuk ndodhi. Prokuroria ka kërkuar të pyetem në fund të dëshmitarëve që ka paraqitur.
Po Znj.Gjyqtare pranoj tu përgjigjem cdo pyetje të prokurorëve apo pyetjeve tuaja, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, mbasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore. Përndryshe zhvillimi i seancës së pyetjeve ndaj meje, në këtë moment të procesit do të jetë thjeshtë një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjeshtë statitikës”, mësohet ka thënë Mediu në deklaratë.
Në lidhje me pyetjen e të huajve për çështjen e tragjedisë së Gërdecit, SPAK kërkoi të realizohet përmes letër porosive.
Kujtojmë se më 6 mars, SHBA ka përcjellë letërporosinë për pyetjen e të huajve për çështjen e tragjedisë së Gërdecit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë plotësim të kërkesës së drejtësisë shqiptare, pra cili është statusi i tyre penal, çfarë interesi dhe për çfarë duhen dëshmitë e tyre.
Patrik Henry dhe katër të tjerë janë kërkuar të pyeten nga gjykata e SPAK për Gërdecin. Patrik Henry është përfaqësues i SAC, kompania që ishte e përfshirë në demontimin në Gërdec.
Sipas gazetares Anila Hoxha, në datë 12 maj do të kryhet një video konferencë me pesë përfaqësues të Amerikës, mes tyre përfaqësues të kompanisë Sac. Amerikanët që kërkohen të pyeten me letërporosi janë: Corneilos Henry 3, David Clask Hoëell, Ëilliam Merrit Hart, Sidney Macintyre dhe Rodney Taylor.
Si dëshmitarë atyre u kërkohet të japin përgjigje se cili ka qenë aktiviteti i Sac për demontimin dhe çmilitarizimin? Çfarë statusi ka patur në mars 2008 dhe nëse ka qenë me aktivitet të pezulluar?
Top Channel