OKB gjen rrugë të re për ndihmat në Gaza, Netanyahu nuk ndalet në Rafah

13/03/2024 12:55

OKB-ja njoftoi se është duke përdorur një rrugë të re tokësore për të shpërndarë ushqim në Gazën veriore për herë të parë në tre javë.

Gjashtë kamionë nga Programi Botëror i Ushqimit kaluan përmes një porte në murin kufitar të Gazës. Dorëzimi ishte “pjesë e një përpjekjeje për të mos lejuar që ndihmat të bien në duart e Hamasit”, thanë drejtues të tij. Ky zhvillim vjen në mesin e një presioni të shtuar global ndaj Izraelit për të lejuar një qajë më të madhe të ndihmave në territorin palestinez ku ka pllakosur zija e bukës, teksa lufta me grupin militant, vazhdon.

Një anije me 200 ton ndihma ushqimore nga një organizatë bamirëse u nis gjithashtu nga Qiproja të martën, çka përbën dhe fillimin e përdorimit të një korridori detar drejt enklavës. Ajo pritet ti afrohet Gazës të enjten. Megjithatë, dërgimi i ndihmave përmes rrugëve tokësore vazhdon të konsiderohet mënyra më e shpejtë për të marrë urgjentisht furnizimet e nevojshme.

Kjo vjen në kohën kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do të vazhdojë ofensivën ushtarake në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, pavarësisht trysnisë së madhe ndërkombëtare.  Zërat që po i kërkojnë Izraelit të mos futet në Rafah janë shtuar. Rafah është një nga vendet e fundit në Rripin e Gazës që kanë mbetur relativisht të sigurta dhe ku kanë gjetur strehim 1.5 milionë njerëz. Netanyahu megjithatë nuk zmbrapset.

“Do ta realizojmë synimin tonë në Rafah, duke shmangur njëkohësisht dëmet mes popullatës civile”, deklaroi ai, teksa Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan u shpreh se  Presidenti Joe Biden nuk do të përkrahë një operacion ushtarak izraelit në Rafah, nëse nuk mbrohen civilët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA