Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të udhëtojë në Uashington më 4 prill, ku do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Greqi, George Tsounis nga konferenca “City Hub Events” që zhvillohet në Aleksandropolis, kur ju referua marrëdhënieve greko-amerikane, duke zbuluar se kreu i qeverisë greke do të jetë në Shtëpinë e Bardhë më 4 prill.
Kryeministri Mitsotakis do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar tradicionalisht në Shtëpinë e Bardhë për përvjetorin e Revolucionit Grek të 1821 dhe në të njëjtin kontekst do të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin amerikan, Joe Biden.
Sipas burimeve qeveritare në takimin Mitsotakis-Biden pritet të diskutohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Greqinë dhe SHBA-në, si programet e armatimeve, çështjet energjitike dhe marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. Gjithashtu do t’i referohen konflikteve të Ukrainës, Lindjes së Mesme, zhvillimeve në Mesdheun Lindor dhe marrëdhënieve greko-turke.
Kyriakos Mitsotakis do të udhëtonte për në SHBA janarin e kaluar, por u sëmur nga gripi dhe kështu udhëtimi u anulua.
Në intervistën e tij të fundit dje tek kanali televiziv SKAI , kur u pyet se kë preferon, Joe Biden apo Donald Trump, përpara zgjedhjeve amerikane në nëntor, Kyriakos Mitsotakis u përgjigj:
“Këdo që të zgjedhë populli amerikan, ne do ta respektojmë padyshim zgjedhjen e tyre. Marrëdhëniet greko-amerikane janë aq të forta për momentin sa nuk besoj se do të lëkunden , pavarësisht se kush zgjidhet president”
Top Channel