Me pranga në duar i shoqëruar nga dy policë/ Momenti kur Bruno Çobo mbërrin në Rinas, ekstradimi i parë nga Dubai

13/03/2024 12:47

Bruno Çobo, i shpallur në kërkim nga SPAK për mashtrim në bashkëpunim me 16 persona të tjerë është deportuar sot nga Dubai, ekstradimi i parë që ndodh mes dy vendeve.

Ai akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Grupi operonte përmes një call centeri në Tiranë të cilët kontaktonin qytetarë në Itali. Personat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta.

Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.

Viktima shkarkonte sipas udhëzimeve të telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, duke i lejuar këtij të fundit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës dhe më pas në numrat e llogarive bankare.

“Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Marrëveshja e ekstradimit në proces, mes 2 vendeve, intensifikon bashkëpunimin për lokalizimin e shtetasve që i fshihen drejtësisë shqiptare, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve për këtë qëllim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për ekstradimin e thjeshtuar të një 28-vjeçari shqiptar të akuzuar nga SPAK-u, si pjesëtar i një grupi të strukturuar që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet një call center-i. Grupi kriminal dyshohet se ka përfituar rreth 4 700 000 euro, nga skema e mashtrimit. 28-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është lokalizuar në Abu Dhabi, pas shkëmbimit të informacioneve mes Drejtorisë së Interpolit, Departamentit të Policisë Kriminale dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtetasi B. C., 28 vjeç, ka bërë kërkesë për t’u kthyer me dëshirë dhe ditën e sotme është bërë deportimi i tij në Shqipëri.

Ky shtetas akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë bashkëpunimin intensiv me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që kanë kryer veprimtari kriminale në Shqipëri dhe qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’iu fshehur drejtësisë shqiptare”, sipas njoftimit të policisë.

Në datën 21.07.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën “arrest në burg“, ndaj shtetasve Bruno Çobo, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Gjin Shelnishta, Hamit Dobi, Erion Kastrati, Mojsi Zuna, Florjan Bregu, Orland Cani, si dhe masën “arrest në shtëpi”, ndaj shtetaseve Rezarta Ibrahimi, Antoneta (Malo) Pepkolaj, Olta Toçi, Greta Pepa, Silvana Veliu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA