Një investigim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë investigative, BIRN tregon se Serbia i ka shitur armë Izraelit pas datës 7 tetor, kur Hamasi sulmoi shtetin hebre, duke nxitur kështu një konflikt disa mujor shkatërrimtar mes palëve.

Në shkrim pretendohet se Serbia ka eksportuar dy herë armë në Izrael pas kësaj date. Edhe pse BIRN ka kërkuar informacione për eksportin në fjalë nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, nuk ka marrë asnjë përgjigje prej saj. Ministria në fjalë u ofron gazetarëve në mënyrë rutinë informacione mbi eksportet e armëve, sic është lloji apo sasia e armëve të eksportuara, kompanitë e përfshira në eksport dhe cilët janë përdoruesit përfundimtarë të këtyre armëve. Pikërisht, fakti që ajo nuk ka pranuar t`i përgjigjet kërkesës për këtë temë u konsiderua nga rrjeti hulumtues si një “një situatë e pazakontë”.

“Edhe pse ministria refuzon të japë të dhëna, BIRN zbuloi se kompania shtetërore e eksportit të armëve Jugoimport-SDPR ka dërguar dy dërgesa në Izrael nga tetori 2023 deri më sot me një vlerë prej mbi 1 milion euro. Sipas të dhënave të portalit Checkpoint nga Administrata Doganore, portali që mbledh të dhënat zyrtare të institucioneve qeveritare në një vend, Jugoimport-SDPR ka eksportuar mallra në Izrael në vlerën e  540.120 eurove në tetor të vitit 2023, ndërsa një dërgesë tjetër në një vlerë prej 510 mijë eurosh është bërë në shkurt”, thuhet në artikull.

Kjo ishte hera e dytë ndër vite që refuzohet një kërkesë e BIRN për transparencë mbi eksportet e armëve. Hera e parë ishte në tetor 2023, kur rrjeti kërkoi informacion mbi municionet për pushkë sulmi të prodhuara në vitin 2022 në fabrikën serbe të armëve Belom, që dyshohet se u përdorën nga grupi i armatosur serb në sulmin e ndodhur në Banjskë, në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një efektiv i saj.

Top Channel