Inside Story/ “Mënyrë e kamufluar…” Analiza e lektorit për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore

13/03/2024 21:33

Përballë radikalitetit të opozitës, mazhoranca ndërmori një tjetër hap, duke ndryshuar rregulloren e Kuvendit në mënyrë të njëanshme.

Rregullorja e re, dyfishonte ndëshkimet ndaj deputetëve deri në 60 ditë përjashtim në raste të thyerjes së rregullores. Këto, ndryshime u konsideruan provokative nga opozita në kontekstin e një periudhe konfliktuale në parlament.

“Instrumenti kryesor i cili është përcaktuar në kushtetutë është një domen që është një instrument i i opozitës është komisioni hetimor ka pësuar ndryshime të tilla të cilat gati gati e bën të pamundur ngritjen e komisioneve hetimore pavarësisht se këtë të drejtë ia jep opozitës kushtetuta automatikisht”, u shpreh Neritan Alibali, Lektor i të drejtës kushtetuese.

Ndryshimet e rregullores së Kuvendit dhe ligjit për komisionet hetimore, i hodhën benzinë zjarrit.Kaosi në kuvend vijoi, jo vetëm brenda në seancën plenare, por edhe në hyrje të parlamentit, ku deputetët përplasen me gardën.

“Duket sikur të gjitha ndryshimet të ligjit procedurial që u ndryshua në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca nuk bën gjë tjetër vetëm se në mënyrë të kamofluar përpiqet ta pengojë në maksimum opozitën për të ngritur komisionet hetimore. Shembulli gjerman, bazohet në një vendim të gjykatës kushtetuese gjermane…’ u shpreh Alibali.

Protestat brenda sallës së Parlamentit, janë shoqëruar me organizime jashtë sallës nga deputetët e përjashtuar.

Kaosi i krijuar në seancat plenare, nuk e ka frenuar mazhorancën të miratojë gjithçka që vjen si vullnet i saj. Shpesh, drejtuesi i seancës shihet rëndom teksa lexon me të shpejtë nenet që pasojnë me miratim, pa kontrolluar nëse kartonat jeshil janë mjaftueshëm për të plotësuar shumicën apo kuorumin.

“Ne sot kemi ligje klienteliste, ligje që sjellin kosto jashtëzakonisht të lartë për qytetarët që kanë kaluar, të gjithë e shohin që është shkelje dhe askush nuk reagon. Rregullorja parashikon që duhet të ketë konsultim publik, duhet të ketë agjendë të lajmëruar 5 ditë përpara seancës plenare, duhet të ketë dokumentacion publik, duhet të ketë relatorë të cilët diskutojnë në parlament, duhet të ketë kryetarë të komisioneve që japin opinione, dhe duhet të ketë deputetë pro dhe kundër, asnjë prej tyre nuk është konsumuar në aktet parlamentare”, u shpreh Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.

Top Channel