Mazhoranca socialiste ka 74 mandate në Kuvend. Bashkë me 3 mandatet e Partisë Social-Demokrate të Tom Doshit, që janë në mbështetje, bëhen 77.

Përçarja dhe ndarja e PD në dy grupime, ka bërë që në momente të caktuara të ketë rrjedhje të votave të PD-së në favor të socialistëve. Me dhënien e masës “arrest në shtëpi” për Sali Berishën, Lulzim Basha u rishfaq gjerësisht në aktivitete politike, ndonëse i mbetur me një numër të ulët deputetësh që e mbështesin, pasi pjesa më e madhe u bashkuan me rithemelimin.

“Nga pikëpamja politike, rithemelimi e ka fituar betejën, përfaqësimin e shumicës së demokratëve”, u shpreh analisti, Ermal Hasimja.

“Por unë mendoj kështu, se kështu kam të drejtë, se unë jam shumica por në demokraci është e drejta, jo shumica”, tha deputetja, Flutura Açka.

“Nga pikëpamja formale pushtetin e ka ende partia e Bashës” u shpreh analisti, Ermal Hasimja.

Kaosi në jetën parlamentare del në dukje edhe në një studim të Institutit të Studimeve Politike për periudhën Shtator-Dhjetor 2023. Nga pëprunimi i të dhënave, rezultonte se çdo 1 projektligj, u kalua në seancë çdo 2 minuta. Kjo përbën një rekord dhe një situatë të paprecedentë.

“Unë nuk shoh asnjë hap radikal nëse opozita kërkon zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit. unë shoh radikalizëm nga ana e qeverisë madje përtej kësaj shoh një paligjshmëri për të mos zbatuar kushtetutën dhe ligjin dhe pa diskutim për t’ju shmangur kontrollit parlamentar, hetimit parlamentar dhe mbikëqyrjes parlamentare”, u shpreh deputeti, Ervin Salianji.

Sesioni u dominua nga konfliktualiteti politik dhe incidentet e shumta, dobësim i dukshëm i aktivitetit parlamentar dhe rolit të parlamentit në sistemin politik, kufizim të lirive politike të deputetëve dhe keqpërdorim i përfaqësimit në funksion të agjendave personale politike.

Rreth 50% e aktivitetit parlamentar ishte formal, me një mazhorancë që miraton akte ligjore pa debat dhe një opozitë që tenton të pengojë fizikisht dhe me mjete joparlamentare funksionimin e Kuvendit. Seancat plenare shënuan rekord historik për minutazhin minimal, vetëm në 8 minuta u votua edhe buxheti i shtetit 2024 dhe mesatarisht një ligj/vendim kaloi çdo 2 minuta seancë plenare.

Top Channel