Është zyrtare: Biden dhe Trump shpallen kandidatë për presidencialet e nëntorit!

13/03/2024 07:27

Tashmë është zyrtare: Presidenti amerikan Joe Biden siguroi emërimin e tij si kandidat i demokratëve, dhe ish presidenti Donald Trump grumbulloi delegatët e nevojshëm për emërimin republikan, duke i hapur kështu rrugën një përsëritjeje të përballjes mes tyre në vitin 2020 për kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Vulosja e kandidimit erdhi pasi të dy triumfuan në zgjedhjet paraprake në Xhorxhia, Misisipi dhe në Uashington, rezultati i të cilave në fakt, asnjëherë nuk u vu në dyshim pasi as Biden e as Trump nuk përballeshin aty me kundërshtarë të fortë.Tani nuk ka më dyshim se në zgjedhjet e nëntorit Biden dhe Trump do të përballen përsëri. Por, rruga e tyre përpara nuk do të jetë e lehtë.

Biden, 81 vjeç, është tashmë presidenti më i vjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Trump, 77 vjeç, përballet me katër procese gjyqësore. Përsëritja e përballjes mes tyre, e para mes dy presidentëve amerikanë prej vitit 1912 – mund t’i thellojë ndarjet politike dhe kulturore gjatë tetë muajve të ardhshëm. Biden e festoi nominimin përmes një komunikate, në të cilën e cilësoi Trumpin si kërcënim serioz për demokracinë.

Trumpi, tha Biden, është “duke e udhëhequr një fushatë shpagimi, hakmarrjeje dhe inati, e cila e kërcënon Amerikën”. Ndërsa Trump, në një video të postuar në rrjetet sociale, e festoi atë që e quajti “një fitore të madhe”. “Por, tani, ne duhet t’i kthehemi punës, sepse e kemi presidentin më të keq në histori të vendit tonë”, tha Trump për Bidenin. “Nuk do të humbim kohë për të festuar. Do të festojmë pas tetë muajve, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet”, theksoi ai.

Top Channel