“Agjensitë e huaja mund të kenë kopje të serverit të fshirë të kryeministrisë”, gazetari: Prova më e fortë që SPAK duhet të hetojë për 21 janarin

13/03/2024 15:09

Gazetari Sokol Bregu në një lidhje skype për emisionin ‘Breaking’ me gazetaren Fiori Dardha në Top Channel foli për vendimin e Gjykatës së Lartë që urdhëron SPAK-un të hetojë vrasjet e 4 protestuesve në 21 janar 2011.

Duke theksuar se çështja është e vështirë të rigjykohet, gazetari tha se prova më e rëndësishme për t’u hetuar do të ishte materiali i serverit të kryeministrisë. Sipas Bregut, dikush mund të ketë mbajtur një kopje të serverit të kamerave në kryeministri dhe agjensitë e huaja mund të kenë në duar një provë që mund t’ja dorëzojnë SPAK-ut.

“E gjithë çështja lidhet me serverin. Edhe në gjykimin e Strasburgut prekja e serverit në kryeministri, provat e shkatërruara e një sërë shkeljesh të tjera, të bëjnë të dyshosh se nuk ishte hetim i pavarur e i paanshëm. Çështja është gjykuar njëherë dhe është e vështirë ta rigjykosh me të njëjtat prova, pa ndonjë provë të re të gjetur. Kam përshtyjen se agjencitë e huaja duhet të kenë ndonjë provë në dorë dhe do ia servirin prokurorisë duke ditur edhe mënyrën sesi është vepruar.

Se kush e ka, nuk e di, por kam përshtypjen se është një provë tjetër sepse kur serveri i kamerave u shkatërrua, kam përshtypjen se dikush ka mbajtur një kopje të tij pas shkatërrimit dhe nuk mund të jetë shkatërruar 100%. Ajo do ishte një provë që mund të rigjykonte çështjen nga fillimi”-tha gazetari.

Nga ana tjetër, avokati Romeo Kara kritikoi SPAK-un që tentoi të shmangte hetimin e dosjes së 21 janarit, duke ia kaluar Prokurorisë së Tiranës.

“Jam surprizuar sesi SPAK nuk donte ta merrte përsipër çështjen. Them se akoma nuk është SPAk siç duhet. Kjo familje e kësaj viktime shkoi tek SPAK-u dhe jo tek ajo prokurori që i kishte zhgënjyer”– u shpreh avokati.

Ditën e djeshme (12 mars) Gjykata e Lartë vendosi që ’21 janari’ të hetohet nga SPAK. Prokuroria e Posaçme është e detyruar të regjistrojë procedimin penal dhe të zbardhë përgjegjësitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe Ndrea Prendit dhe efektivëve të tjerë të Gardës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA