“Vota nuk është as biletë as çështje zemre”/ Procesi i rienergjizimit të PS, Rama në Pogradec: Do të angazhojmë edhe ata që nuk kanë qenë me PS

13/03/2024 18:12

Kryesocialisti Edi Rama u ndal në Pogradec, ku vijoi takimet me strukturat e partisë për procesin e rienergjizimit.

Gjatë fjalës së mbajtur, numri një i socialistëve tha Shqipëria ka hapur një portë të re dhe për këtë arsye PS duhet të hapet më shumë me qëllim që të fuqizohet.

“Për këtë arsye ne na duhet që ta hapim Partinë Socialiste dhe që më shumë dhe më mirë se çdo herë tjetër të përpiqemi që hapja të jetë sa më funksionale duke synuar që në çdo organizatë ose më saktë përmes çdo organizate, në çdo komunitet, ne t’i kapërcejmë kufijtë partiakë që sot janë më të kapërcyeshëm seç ishin deri para disa vitesh si rezultat i një kthjellimi i njerëzve të zakonshëm në përgjithësi, mbi rëndësinë e interesit të drejtpërdrejtë të familjes, komunitetit dhe të vendit më shumë sesa mbi rëndësinë e përkatësisë partiake”, tha Rama.

Rama shpjegoi më tej edhe arsyen se përse është ndërmarrë ky proces.

“Ky nuk është një proces që ne po e bëjmë se ne kemi zgjedhjet nesër. Zgjedhjet janë vitin e ardhshëm. Ne po e bëjmë këtë sepse ne na duhet që të krijojmë kushtet optimale të ndjerjes së njerëzve të përfshirë, të dëgjuar, të respektuar dhe të angazhuar, kur duan të angazhohen, pasi kjo ne na jep mundësinë që t’i bëjmë gjërat me shumë më tepër fuqi dhe Pogradeci ku jemi sot, është një tjetër shembull kuptimplotë i faktit që Partia Socialiste pa diskutim është larg së qëni e pagabueshme, është larg së qëni e papërmirësueshme, por është një garanci për progresin”, tha kryesocialisti.

Rama tha se PS duhet të garantojë vazhdimësinë e reformës në drejtësi si dhe progresin që Shqipëria ka arritur në arenën ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA