Detaje të reja janë zbardhur në seancën për “21 janarin” që po mbahet këtë të martë në Gjykatën e Lartë.
Gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni po zhqyrtojnë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës që dosja t’i kalojë SPAK-ut.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, e cila po ndjek çështjen, prokurori i SPAK, Alfred Shehu i kërkoi Gjykatës së Lartë që të mos e pranojë rekursin.
“Pasi u njohëm me kërkesën çmojmë që nuk janë të pabazuara. Funksionet e Prokurorisë së Posaçme përcaktohen me ligj, parashikohen në ligj. Duhen të dhëna minimale për të nisur një procedim penal. Qe prokurori të ngrejë akuzë duhet të zhvillojë një hetim të thelluar. Duke iu kthyer rekursit theksojmë se SPAK nuk ka regjistruar kallëzim penal, por vetëm regjistrim kallëzimi. Per shkak se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal dhe ka nisur hetim për vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Gjithashtu rezulton se nga përmbajtja e materialit kallëzues në lidhje me objektin e kallëzimit penal nuk rezulton të jenë identifikuar autorë të kësaj vepre penale, madje as emrat e subjekteve të posaçëm. Shkresat në vetvete janë shkresa administrative dhe kërkuesja nuk mund të ankimonte një shkresë të tillë. Pavarësisht ngjarjes së rëndë nuk rezulton që ngjarja të jetë kryer në formën e bashkëpunimi të veçantë që të jetë kompetencë e SPAK”, tha Alfred Shehu, prokurori i SPAK gjatë seancës.
“Shkresa e SPAK për dërgimin e akteve në Prokurorinë e Tiranës është e pa ankimueshme. Vendimet e shkallës së parë dhe asaj të Apelit duhet të lihen në fuqi. Kërkojmë nga Gjykata e Lartë mos pranimin e rekursit”, theksoi prokurori.
Kujtojmë se një ditë më parë, përmes një letre Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës kërkon që Gjykata e Lartë të vendosë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të regjistrojë hetimin penal për ngjarjen e 21 Janarit 2011.
Sot Gjykata e Lartë vendos nëse dosja do t’i kalojë SPAK-ut apo do të mbetet në duart e Prokurorisë së Tiranës.
Top Channel