Rithemelimi pezullon aksionin në Kuvend! Autorizon Bardhin të marrë pjesë në Konferencën e kryetarëve pas 5 muajsh bllokim

12/03/2024 13:12

Rithemelimi ka vendosur pezullimin e aksionit në Kuvend, duke autorizuar kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhi që të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve pas 5 muajsh bllokim të seancave plenare.

Vendimi i grupit opozitar, të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, vjen pas një raundi bisedimesh në rang përfaqësuesish me mazhorancën, në fokus të të cilave ishte ndërprerja e protestës në Kuvend.

Palët kishin zhvilluar bisedime javën e shkuar rreth tre çështjeve kyçe; ngritjen e të paktën dy komisioneve hetimore parlamentare, reformën zgjedhore si dhe ndryshime të mundshme ligjore për reformën në drejtësi.

Me përfundimin me sukses të negociatave, deputetët opozitarë do të rikthehen në Kuvend, duke i dhënë fund aksionit opozitar për krijimin e tensioneve dhe bllokimin e punimeve parlamentare.

Socialistët, të betuar më parë se nuk do të negocionin me “non gratat”, po kujdesen që t’i paraqesin bisedimet si institucionale dhe jo politike. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një komunikim për mediet insistoi se nuk ka negociata të fshehta, por “takime formale brenda institucioneve të Kuvendit”.

Aty, në Konferencën e Kryetarëve e kudo tjetër, përfaqësuesit e opozitës janë jo vetëm të mirëpritur të paraqesin kërkesat e tyre, por edhe të detyruar të paraqiten nga misioni i tyre kushtetues”- tha Spiropali.

Negociatat mes dy grupimeve të mëdha në parlament shihen me mosbesim nga partitë më të vogla. Deputeti Dashamir Shehi, i pranishëm në njërin prej takimeve të thirrura nga Nikolla, tha për mediet se: “Dy partitë e mëdha mund të kenë negociuar me njëra- tjetrën pas këtij takimi”. Duke shprehur mosbesim për reformën zgjedhore, Shehi theksoi se: “Ato do të shohin interesat e veta.”

Në anën tjetër, ideja për ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë rikthehet disa muaj pasi një grup pune i përbashkët u tërhoq nga propozimet fillestare, pas kundërshtimit të ekspertëve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Socialistët duken të vendosur për ta rihapur çështjen e reformës në drejtësi, siç sugjeroi Kuvendi përmes një njoftimi të hënën pas takimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla me të ngarkuarin me punë të SHBA-ve në Tiranës, David Wisner.

Paketa ligjore e reformës në drejtësi u miratua 8 vjet më parë me nxitjen e SHBA dhe BE, duke sjellë si rezultat kryesor krijimin e Prokurorisë së Posaçme që po heton aktualisht politikanë të nivelit të lartë nga të dyja kahet e politikës. Lënia hapur e derës për ndryshime të mundshme ligjore rrezikon të shkaktojë shqetësime për fatin e mëtejshëm të institucioneve të reja të drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA