Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama, në takimin e radhës për procesin e rienergjizimit të Partisë Socialiste në Kukës, foli mbi planet për zhvillimin e turizmit.
Sipas Ramës, të rinjtë, duke investuar në pronat e prindërve, mund të fitojnë më shumë se sa duke punuar në emigrim. Ai inkurajoi qytetarët kuksianë të përfshihen në industrinë e turizmit, pasi kështu “bota vjen te dera e shtëpisë, edhe në mal”.
“Mund të fitojë disa herë më shumë se sa puna në tokë të huaj. Të gjitha rastet e provojnë këtë tani. Duhet të përpiqemi që të bëjmë më shumë, që pastaj industria e turizmit të kthehet në mirëqenie për shumë e shumë që thotë ‘është larg’. Turizmi ka fuqinë ta sjellë botën te dera, deri në mal. Nuk ke nevojë të mendosh si do të mbijetosh, duke prodhuar qumësht e patate dhe të mendosh ku do i shesësh. Sepse ti i shet ato prodhime aty, të vjen bota aty. Në këtë aspekt, kemi një të ardhme të ndritur, sepse Zoti e ka qëndisur këtë vend. E ka bërë ditën e diel, kur ka qenë pushim”.
Kryesocialisti tregoi si mund të zgjidhet problemi për regjistrimin e pronave të paluajtshme.
“Sot, jemi në një kohë kur jemi shumë në dorë vetë. Unë e di që këtu ka një problem me ligjin për tokën, për shkak se nuk kanë pasur konflikte ku është kufiri, por kjo ka krijuar problemin që nuk regjistrojnë dot tokat. Prandaj, kemi krijuar ligjin 20/20, që u jep mundësi t’i regjistrojnë, por edhe kjo ka vështirësitë e veta, sepse duhet të jenë të gjithë pronarët. Po përpiqemi të gjejmë një mekanizëm shtesë për ata që duan të investojnë, mbi bazën e një deklarate plotësuese nga pushteti vendor, ku thuhet se ‘këtu nuk ka konflikt dhe investimi mund të fillojë’.”
Top Channel