Pakti/ Rithemelimi fik flakadanët, do të ndërtohen dy komisione hetimore të kërkuara nga opozita

12/03/2024 19:38

Pesë muajt e “rebelizmit” opozitar morën fund me dakordësinë për ngritjen e dy komisioneve që do të hetojnë kontratat koncesionare në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS. 

“Rivendosëm dialogun aty ku e lame në tetor të vitit të kaluar, që të rregullojnë objektet e dy komisioneve hetimore, të cilat ata vetë i propozuan”, u shpreh Bledi Çuçi.

“Kush pyet çfarë ka fituar opozita po i them kemi zhbërë seancën e 12 tetorit, ka rënë shkaku për të cilin opozita hyri në këtë betejë”, tha Gazment Bardhi.

Pas lojërave taktike se kush është opozita, socialistët pranuan si partner të tyre në Kuvend grupin e Sali Berishës me negociator Gazment Bardhin, edhe pse në të shkuarën kishin një qëndrim të palëkundur për “non gratat”.

“Sot nuk është vendi për të komentuar për këtë çështje se kjo nuk është marrëveshje, as me grata dhe as me non grata. Kjo është detyra jonë që e kemi bërë me përgjegjësine më të madhe”, u shpreh Elisa Spiropali.

Marrëveshja detyroi palët të bëjnë lëshime. Demokratët janë gati të pranojnë hetim parlamentar sipas rregullave ligjore të socialistëve, ndërsa këta të fundit duket se nuk  e kanë problem nëse hetimi parlamentar prek edhe Ilir Beqajn i cili e ka një proces të hapur në SPAK për sterilizimin.

Por, ky nuk ishte konsensusi i vetëm.  Palët kanë  rënë dakord për ngritjen e një nënkomisioni me përfaqësi të barabartë që do të jetë përgjegjëse për ligjet dhe reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gazment Bardhi përgënjeshtroi lajmet se ky organ i ri parashikon të fusë duart në reformën në drejtësi.

“Nuk ka patur as një diskutim për asnjë çështje që prek drejtësinë”, tha Bardhi.

Ky nënkomision parashikon të mos prekë drejtësinë, por reformën zgjedhore po, duke e zhveshur Lulzim Bashën nga e drejta e vetos për ligjin e ri elektoral. Për këtë, pritet skadimi i afatit të komisionit të posaçëm më 21 mars, ku peshën negociuese të Bashës me socialistët, do e fitojë grupi i Berishës.

Top Channel