Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi do të vijojnë të mbahen nën arrest shtëpie.
Vendimi u dha nga gjyqtarja e hetimit paraprak Irena Gjoka, e cila e konsideroi te pabazuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të të dyve që këmbëngulën se nuk kishte prova dhe nuk ekzistojnë as rrethanat dhe ndaj masa personale duhej revokuar.
Prej muajit dhjetor 2023, kur u dërgua nën arrest shtëpie, ish-kryeministri hapi procese paralele, në njërën prej tyre për të fituar të drejtën e pjesëmarrjes në parlament dhe tjetra për të hequr arrestin shtëpiak. Por, kërkesat janë hedhur poshtë dhe sipas mbrojtjes vendimet janë të paracaktuara
Avokati Genc Gjokuaj, në një prononcim për media tha se “masa e arrestit është dhënë pa u bërë pyetje prokurorëve”.
“Këta janë një komisariat politik. Nuk e di se si kjo gjykatë, që ka dhënë masën e arrestit për Berishën dhe Malltezin, nuk u bëri një pyetje prokurorëve. Të mos kesh një kuriozitet të bësh një pyetje, ku qëndron korrupsioni, kush i tha kujt, kush i premtoi kujt.
Se kur do të përfundojë as prokurorët nuk e dinë vetë, se do të presin çfarë t’u thotë Rama. Prokurorët nuk u japin drejtim akteve të tyre. Kjo nuk është më gjykatë. Por, përgjegjësia është e gjykatës, që merr përgjegjësinë e një arresti. Si duket kjo gjykatëse e ka vendosur këtë punë, e di vetë ajo se si”, tha avokati.
Kur gjykata e posaçme i dha “JO-në” e radhës në Gjykatën e Lartë, pritet të shqyrtohen rekurset e palëve në dosjen “Partizani”, ku vetëm Berisha dhe Jamarbër Malltezi po depozitojnë kërkesa të vazhdueshme. I treti Fatmir Bektashi, po ashtu i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, nuk e ka kundërshtuar në asnjërën nga shkallët e gjykatës masën e detyrimit me paraqitje.
Top Channel