70-vjeçari i arrestuar një ditë më parë për armët e municionin që iu gjetën në banesën e tij në Sukth ka mohuar t’i përdorte për shitje dhe furnizim grupesh kriminale.
Ai ka deklaruar se ato ishin të harruara që nga viti i trazuar 1997, po grupi hetimor që po merret me çështjen dyshon në këtë “harresë”, pasi arma kallashnikov, krëhrat me fishekë e plumbat e shumtë, si dhe dylbi e snajperit të gjetura në banesë janë në gjendje të mirë, të mirëmbajtur. Ndërkohë dhe një nga dy të rinjtë e arrestuar për bazën e armëve dhe municioneve në Shkallnur të Durrësit ka marrë përsipër autorësinë e veprës për të cilën akuzohet.
I riu Emiliano Pasha ka dashur të shfajësojë bashkëfshatarin e vet Hekuran Troplini, duke deklaruar se ai nuk është i përfshirë në këtë ngjarje. I riu nuk ka dhënë as shpjegime se ku i ka gjetur armët dhe municionin që tregtonte, ndërsa ka pohuar se e bënte këtë aktivitet për arsye ekonomike. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për TCH se po vijojnë intensivisht hetimet për të zbardhur e dokumentuar plotësisht aktivitetin e personave të arrestuar në kuadër të operacioneve Hills dhe Hills 2, ndërsa po punohet dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal të këtyre bazave me armë të zbuluara ditët e fundit në Durrës.
Top Channel