Dy vite më parë, Top Channel festonte 20 vjetorin. Dy dekada magji televizive do të bënin bashkë sërish të gjithë ata që vunë një ose më shumë tulla në televizionin më të dashur të shqiptarëve kudo ata ndodhen, nën petkun e “Ëndërrtjerrësve”, një cikël dokumentarësh që ritregoi nga vetë protagonistët, në mungëse të krijuesit Z. Dritan Hoxha, që sidoqoftë ndihej në çdo vështrim dhe fjalë të tyre, të gjithë hapësirën nëpër të cilën ëndrra e përbashkët frymoi.

Një ide e Lori Hoxhës për ta kthyer këtë histori në një libër tavoline [table-book] vjen tashmë në libraritë më të mira si edhe online. Me fjalët dhe intervistat e Alda Bardhylit, me fotografitë e Rezart Gurashit dhe foto të arkivës së Top Channel dhe familjes Hoxha ky album është një rrugëtim personal dhe emocional i 20 viteve të para të atyre që ndryshuan një herë e mirë median në Shqipëri.

Ismail Kadare

Ora 19.30

Kur e dëgjoj këtë televizion, kam dëshirë të përfytyroj mijëra njerëz që e dëgjojnë, e kam një ngazëllim të brendshëm, pasi e kuptoj që ai luan një rol, e mendoj se sa mirë që Shqipëria vijon të jetojë me fjalën e këtij televizioni të fuqishëm.

Kim Mehmeti

Ishte viti 2003, kur për herë të parë takova Dritan Hoxhën, i cili kishte ardhur në Shkup me Andi Bejtjen dhe Filip Çakulin. Më propozoi të hapnim një zyrë të TCH në kryeqendrën e Maqedonisë. Meqenëse sapo isha zgjedhur zëvendësdrejtor i televizionit publik të Maqedonisë, i thashë se nuk mund të pranoja, por se do i gjeja dikë më të aftë se unë, duke pasur parasysh Iso Rusin. Prej tij mora një përgjigje, që më mbeti në kujtesë përgjithmonë:

Të falënderoj për ndihmesën që po më ofron, por edhe të mirët edhe të këqijtë i zgjedh vetë!

Dhe ai vazhdoi i vetëm t’i zgjedhë ata që do të punonin në TCH, duke e bërë këtë televizion adresë dhe emblemë të “mjeshtërve” televizivë dhe të vlerave gazetareske e artistike që asokohe i kishte Shqipëria.

Me Tanin u ritakuam në fillim të vitit 2008, kur unë isha i papunë, e ndërkohë TCH ishte televizion, me të cilin mburrej mbarë shqiptaria dhe nga i cili fëmijët e mi mësonin gjuhën letrare shqipe.

Sapo i thashë se jam i papunë, më ofroi të hapja zyrën e TCH në Shkup. Dhe kështu u bëra pjesë e këtij gjiganti mediatik si drejtues i zyrës së këtij televizioni në Shkup, por me ndjenjën se paguhesha vetëm që të mbetem i tillë, siç Tani më njihte.

Pra, punësimi im në TCH kishte të bënte me vitin kur Tani e braktisi këtë botë, ashtu siç shkojnë ata që jetojnë ngutshëm, që jetën nuk e matin me vitet e jetuara, por me përmbajtjen që ajo ngërthen në vetvete.

Ka vite që nuk jam pjesë e kësaj familjeje mediatike, andaj edhe nuk e di gjithaq saktë se ç’ka e dallon “Topin e Tanit” nga “Topi pa Tanin”. Por, nga këndvështrimi i shikuesit të rëndomtë, më duket se për shumëçka TCH i sotëm dallon nga ai i kohëve kur edhe unë punoja aty. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se madhështinë e “Topit të Tanit” e përcaktonin shikuesit, e këtë të “Topit pa Tanin” e përcaktojnë “klikuesit”.

E “shikuesit” e “klikuesit” nuk “përputhen” thuajse me asgjë, sepse shikuesit e shohin dhe e vlerësojnë edhe bukurinë e padukshme të atyre që paraqiten në ekran, siç janë zëri, mençuria, emocionet…, pra edhe vlerat njerëzore, ndërkaq “klikuesit” nuk dëgjojnë, por “shohin” muzikë, ata i mahnit “shthurja” e jo “thurja” dhe të çojnë të të vijë turp pse turpërohesh.

Artan Fuga

Për mua televizioni Top Channel është nga të paktët operatorë televizivë në Shqipëri, i cili nëse nuk do të ishte, do të kishte krijuar çekuilibra të fortë në atë që në shkencat e komunikimit masiv quhet “fusha e medias”. Në këtë mënyrë ai paraqitet që në themelimin e tij si strukturues i rëndësishëm i industrisë së mediave audiovizive.

Ai ka qenë novator jo vetëm duke përbërë menjëherë pas themelimit një televizion me vijë redaksionale të pavarur, madje opozitare, por edhe në kuptimin e risive teknologjike, programore, si edhe formave të mbulimit me lajm që ai solli.

Top Channel diti të përvetësonte dhe të hidhte në shoqërinë shqiptare modele patentash të huaja të avancuara emisionesh televizive. E pëlqen apo nuk e pëlqen ta zëmë “Big Brother”, pak rëndësi ka, fakti mbetet. “Reality show” tronditi kulturën tradicionale shqiptare, duke shfaqur intimen në publik.

Nuk është se mund të bëhej pa guximin krijues që ishte ai i frymëzuesve të kulturës së Top Channel, që në njëfarë mënyre ka qenë në avangardë të sistemit të vlerave të një pjese të gjerë, shumica rinore, të shoqërisë shqiptare. Në atë televizion zunë vend, në mënyrë konkurruese dhe novatore, studiot e mëdha të pajisura me teknologji digjitale, me kamera, mikser zëri, foni etj., të fjalës së fundit.

Dukej qartë që operatori kërkonte të zinte vendin e tij në treg, duke sfiduar operatorët e tjerë. Në dekadën e parë të shekullit të ri, veçanërisht bënte përshtypje se televizioni nuk e ka kërkuar rendimentin financiar të financimit, duke ulur kostot e produktit televiziv dhe bashkë me to edhe cilësinë e tij, sikurse ndodh rëndom, por duke e rritur atë cilësi me investime, që për përmasat shqiptare kanë qenë gjigante.

Kampusi televiziv, duke u zhvendosur në periferi të kryeqytetit, përkthente synimin për studio të mëdha, për spektakle domethënëse. Televizioni shqiptar, mirë a keq, hyri në betejën e vet për hapësirën e krijimit dhe transmetimit të spektakleve të mëdha. Kush nuk është dakord, për shembull, me konstatimin që “Portokallia” do të mbetet, bashkë me spektakle të tjera, në kujtesën e brezave të tërë. Nuk ishte thjesht një spektakël, në përmbajtje “ngacmoheshin” vlera, stereotipa, klishe të një bote, me të cilën nuk mund të ndaheshe, veçse duke qeshur, duke i përqeshur.

Pas kësaj, kemi futjen e publikut në studiot e prodhimit, kemi punësimin dhe kontraktualizimin e personelit jo vetëm gazetar, por edhe regjisor, skenograf, aktor, valltar, etj.

Top Channel, sigurisht, ka përbërë një media masive, që në pika të rëndësishme programore ka fshikulluar duke hapur me të gjitha kufizimet dhe alienimet e veta gazetarinë televizive investigative, që bashkon informacionin, demaskimin e së keqes, spektaklin. Ai i ka qëndruar fort idesë se televizioni me rutinë është i dëmshëm, sepse standardizon vlerat. Shumë emisione të Top Channel kanë qenë në kufijtë e subversitetit ndaj vlerave në fuqi, ndaj një tradite të murosur dhe nga kjo nuk është se nuk ka tërhequr kritika nga mjedise konservatore. “Ka dalë te Fiksi” ka mbetur shprehja e një gjurme të rëndësishme në opinionin publik, kur i referohej dikujt me moral të dyshimtë si nëpunës.

Ekrani i televizionit të Top Channel e kaloi këtë media nga thjesht një instrument në duart e gazetarisë në kuptimin e ngushtë të fjalës, në një media që nisi të zëvendësonte stadiumin, sallat e koncerteve, të varieteteve. Me emisionet politike dhe informimin përkatës zbehu, sikurse televizioni në përgjithësi, lidershipet politike. Krijoi një lidhje të drejtpërdrejtë mes liderëve politikë dhe elektoratit. Ai diti të çojë fillimisht dhe i pari realitetin dhe kulturën shqiptare në emigracionin e diasporën shqiptare. Në këtë mënyrë ai u bë një urë ruajtjeje identitetesh kombëtare.

Ai futi gjerësisht kontraktualizmin, duke blerë të drejta, si për shembull, për transmetimet e ndeshjeve të Kombëtares së futbollit, duke na dhuruar spektakle shpesh të paharrueshme.

Top Channel ka krijuar mbi të gjitha një kulturë bashkësie profesionale te gazetarët që kanë punuar, apo punojnë tek ai. Ka ditur të shndërrohet në shtëpinë e tyre, për një personel të ri në moshë, rritur bashkë me televizionin që karakterizohen nga sportiviteti, energjia dhe dëshira për të bërë më të mirën profesionalisht.

Fatos Baxhaku

15 vite kanë rrjedhur si uji… më kujtohet Tani i rrethuar nga shokët që fliste për teknologjinë, digjitalizimin e televizionit. Asnjë nga ne nuk e kuptonte se çfarë thoshte. Mbase nuk ishte faji ynë. Mund të kemi faje të tjera, por jo këtë, pasi edhe vetë Europa nuk kishte nisur të lëvizte në këtë pikë. Na dukej një ëndërr e Tanit, e cila nuk do të realizohej, por ai e realizoi, pavarësisht vështirësive.

Mos harrojmë që në fillim ka pasur shumë sulme politike dhe mediatike nga konkurrenca.

Por, televizioni hapi një vizion të ri te shqiptarët. Ne nuk e njihnim njëri-tjetrin, nuk njihnim historinë, zakonet… Top Channel i bëri shqiptarët bashkë, pavarësisht dallimeve fetare, krahinore… Kjo është meritë e jashtëzakonshme e Tanit, duke ngritur një nga strukturat më sipërore.

Ja ku ëndrra e tij ende vazhdon…

“Top”-i i Lorit

Cili do të jetë Top Channel i 20-vjeçarit të ri? Për një ekran që në dy dekada ka sjellë inovacion në mendim, ekonomi, politikë, kulturë dhe një zhvillim të një shoqërie të dalë nga një prej regjimeve më diktatoriale prej gati gjysmë shekulli, sfidat e dekadave të reja nuk mund të jenë të shkëputura nga sfidat e vetë vendit. Tashmë Shqipëria dhe roli i shqiptarëve në rajon ka ndryshuar shumë nga 2001-shi. Vetëm 7 vite më vonë, në 2008-ën Kosova mori pavarësinë, ndërsa vendi tashmë si anëtar i NATO-s, ka nisur negociatat për në BE. Në gjithë këtë progres TCH ka pasur rolin e tij të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrave që kanë qenë aq të rëndësishëm, duke u dhënë zë sfidave të kohës.

Për Lorin një nga sfidat kryesore është ruajtja e besueshmërisë, asaj që shpesh është e vështirë të krijohet në raportet media-shikues, por që në rastin e Top Channel u krijua lehtësisht. Shikuesit i besuan menjëherë këtij ekrani që u afrua me një seriozitet profesional dhe standarde që e vendosnin median shqiptare bri mediave të rëndësishme bashkëkohore.

Dy dekada më pas, Top Channel ka tashmë një histori dhe një strukturë që është një bazë e rëndësishme për të ardhmen. Sepse në çdo histori është i rëndësishëm fillimi. E standardet e vendosura herët nga Dritan Hoxha janë një testament i pacenueshëm nga pasardhësit e tij.

Ajo çfarë ndien, është një përgjegjësi e madhe dhe një privilegj që fati i ka dhënë për të çuar përpara një ëndërr të projektuar nga një i ri vizionar, që ishte i ati i saj, e që tashmë është një ëndërr e saj dhe e gjithë familjes.

Dita e saj e punës nis herët e mund të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Pasi të punosh në televizion, nuk ka orar.

Më kujtohet babi kur vinte në shtëpi dhe merrte menjëherë pultin dhe ndizte televizorin dhe diskutonte me ne. Ai nuk pushonte në asnjë moment. Dhe kur ishte me ne, punonte…-  kujton Lori.

Sot ajo i ngjan atij. Kërkon të vëzhgojë çdo lëvizje të ekranit e nuk resht së kërkuari forma të reja që mund të sjellin më shumë ndryshim. “Entertainment” sipas modeleve të ekraneve të njohura botërore, kanë qenë prej kohësh fokusi i saj, një botë që Lori e ka njohur herët. “Big Brother VIP” ku ajo mori rolin e producentes në 2022-shin është një tjetër sukses në shikueshmërinë e ekraneve shqiptare. Në këtë kontekst, në dy dekadat e ardhshme një media e orientuar drejt këtij modeli, ku krahas kuriozitetit, argëtimit përcillen dhe mesazhe të rëndësishme të kohës, është ajo çfarë Lori vizaton në planet e saj, pa humbur fokusin tek informacioni, si mjeti i parë i rëndësishëm që e mban lart gjithnjë një media.

Por, ajo nuk e sheh rolin e saj drejtues si një front që i përket vetëm asaj.

Në fakt ne jemi këtu të gjithë, mami, Sara, Ledioni… diskutojmë gjithçka bashkë… – thotë ajo, duke besuar në filozofinë se Top’-i është i pari…./ Ledion Liço

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA