Turqia dhe Turkmenistani kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për një marrëveshje të rëndësishme për eksportin e gazit natyror, që analistët thonë se i mundëson Ankarasë të bëhet një nyje e rëndësishme energjetike dhe që lehtëson defiçitin energjetik të Evropës.
Por siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Moska mund t’i dëmtojë këto aspirata të Turqisë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij nga Turkmenistani, Serdar Berdimuhamedow, u takuan rishtazi në qytetin bregdetar turk Antalia, ku u nënshkrua një marrëveshje për të filluar bashkëpunimin për të eksportuar gazin e Turkmenistanit drejt Turqisë.
Në Turkmenistan gjendet një ndër rezervat më të mëdha të gazit natyror të botës dhe analistët thonë se shfrytëzimi i saj mund të luajë rol kyç për ta ndihmuar Ankaranë të arrijë objektivin për t’u bërë një nyje e rëndësishme energjetike në rajon.
“Turqia ndodhet në pozicionin gjeografik mes vendeve që prodhojnë energji, vendeve të pasura me energji, dhe një tregu shumë të madh prej 500 milionësh, që është Evropa. Objektivi është që të bëhet një qendër tregtimi e gazit natyror. Që të arrihet kjo duhet të importojmë më shumë gaz se ç’konsumojmë, në mënyrë që të kemi mjaftueshëm gaz natyror shtesë për ta tregtuar dhe eksportuar”, thotë Mithat Rende, ish ambasador i Turqisë në Katar.
Turkmenistani do që të diversifikojë tregun e saj kryesor, që është aktualisht Kina.
Në të njëjtën kohë, sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë e ka shtyrë Evropën të kërkojë për alternativa të tjera ndaj gazit rus.
Sidoqoftë, analistët paralajmërojnë se për transportimin e gazit të Turkmenistanit drejt Turqisë, duhet bashkëpunimi i Moskës për të ndërtuar një gazsjellës nën Detin Kaspik.
“Mund të firmosësh të gjitha marrëveshjet që dëshiron, por pa patur një mirëkuptim të qartë dhe mbështetje nga Moska, nuk do të realizohet pasi duhet të kalojë përmes Kaspikut drejt Azerbajxhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë, duke ndjekur të njëjtin itinerar që përdoret për eksportin e naftës bruto, ose të gazit nga Azerbajxhani. Opsioni tjetër është nëpërmjet Iranit”, thotë Mehmet Ogutcu, nga Klubi Energjitik i Londrës.
Moska ka dekurajuar aspiratat energjitike të Turqisë duke u përpjekur të monopolizojë shitjet në Evropë. Megjithatë, me sanksionet perëndimore që përjashtojnë gazin rus nga tregu evropian, Moska po përpiqet tashmë t’ja shesë atë Kinës.
Analistët thonë se përmirësimi i lidhjeve mes Ankarasë dhe Uashingtonit mund ta detyrojë presidentin rus Vladimir Putin t’i tolerojë dhe madje t’i ndihmojë aspiratat e Turqisë.
“Nëse pala ruse vendos se dëshiron t’i hapë rrugë Turqisë për disa nga këto mekanizma, duke e mbajtur Turqinë pranë vetes dhe duke vazhduar me miklimin me dhurata, atëherë mund të thonë po”, thotë Yoruk Isik, nga Instituti për Lindjen e Mesme.
Analistët thonë se objektivi i zotit Erdogan për ta bërë Stambollin një nyje të tregtisë së energjisë, do të varet nga mënyra se si udhëheqësi turk do të balancojë marrëdhëniet me Moskën dhe me aleatët perëndimorë.
Top Channel