Kryesocialisti Edi Rama bashkë me drejtuesen politike të qarkut Shkodër Elisa Spiropali, analizuan monitorimin e performancws të organizatave të Partisë Socialiste në këtë qytet.
Kryeministri e quajti Shkodrën si një qytet që ka qenë peng i një krenarie të humbur, e tanimë, është kthyer në një destinacion të preferuar në Evropë.
“Partia Socialiste është e vetmja forcë politike e cila ka çdo premisë për ta çuar Shkodrën, por edhe vendin aty ku duhet. Rruga e zhvillimit që ka nisur, nuk do të ndalet”- tha Rama.
Basti Edi Ramës me shkodranët për ta transformuar qytetin e tyre akoma edhe më mirë krahasuar në transformimin e Korçës dhe Vlorës duket se, ka filluar të fitohet prej tij.
“Nuk ka pikë rëndësie se si i referohen. Shkodra mund të bëhet dhe me ndihmën e Zotit dhe me mbështetjen e shkodranëve, do të bëhet modeli i një transformimi që do të jetë edhe më pozitiv sepse ne ndërkohë kemi mësuar edhe nga gabimet që kemi bërë në vende të tjera, por njëkohësisht edhe lokomotiva që do të tërheqë të gjithë veriun me vete, sepse lërë se çfarë thonë disa, jo na keni lënë pas dore. Kjo është një idiotësi. Ne në fakt kemi bërë shumë investime në veri duke parë se ku duam ta shikojmë veriun pas disa kohësh. Nuk kemi bërë asnjë investim elektoral faktikisht në veri sepse s’kemi qenë të tunduar elektoralisht: “hajde më bëj një copë rrugë këtu, hajde një copë kështu atje, hajde një copë atje, hajde më bëj një kanal se ke 200 vota atje, hajde më bëj një kanal, fut një tub atje”, gjëra që nuk të çojnë asgjëkund.
Ne po bëjmë në veri investime që synojnë të zbulojnë malet në sytë e njerëzve që nesër do investojnë në to, sepse unë besoj fort që ne na është krijuar një stereotip në kokë që plazhi, plazhi, plazhi, jugu, jugu, jugu, po ajrin më të pastër dhe më të vyer të industrisë së turizimit, Shqipëria e ka në mal dhe kur të zbulohen malet nga ata të cilët do të bëjnë investimet, do të sjellin turistët që vijnë dhe konsumojnë shumë, do të sjellin turistë që bëjnë ski, do të sjellin turistë që vijnë për mirëqenien e trupit për gjithë ato florinjtë e masazheve, të fizioterapisë, e të mjekësisë preventive etj, etje. Atëherë Shqipëria, përmes industrisë së turizmit do të ketë një rrije shumë më të fuqishme nga ajo që vjen nga plazhi.
Por kjo kërkon kohën e vet dhe ndërkohë sot mund të duket një trill elektoral rruga e Dukagjinit, sot rruga e Dukagjinit është një aks i kushtueshëm, i kushtueshëm për buxhetin, që po hapet në një zonë ku s’ka numra, në sensin e numrave që do të ketë parasysh për rikthim. Por ajo është një fakt, rruga drejt një hapësirë magjepsëse që do të jetë një nga pikat e zhvillimit të kësaj që sapo thashë”- tha Rama.
Në të dytën ditë të qëndrimit në Shkodër kryeministri Edi Rama ecën bashkërisht në këtë qytet me kryebashkiakun Benet Beci, për të parë zonat ku po ndërhyhet dhe do të zhvillohen, një sërë projektesh nga bashkia e këtij qyteti me mbështetjen e qeverisë.
Top Channel