Prishtinë, gratë në protestë/ Përplasen edhe me policinë gjatë marshimit që u mbajt sot! Kurti: Qeveria me më shumë gra

08/03/2024 19:56

Nën thirrjet Drejtësi, Barazi, Solidaritet, qindra gra marshuan nëpër rrugët e Prishtinës, në ditën ndërkombëtare të gruas.

Edhe këtë tetë mars u kërkua drejtësi për 55 gratë e vrara në Kosovë e të drejta të barabarta.

Në shenjë simbolike për neglizhencën e autoriteteve për të trajtuar rastet e dhunës ndaj grave protestuesit hodhën ngjyrë të kuqe ndaj institucioneve të sigurisë.

Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit pjesëmarrësit e marshit nuk u lejuan nga Policia e Kosovës të hyjnë në oborrin e qeverisë, që u pa si tendencë për të heshtur angazhimin feminist.

Kjo rezultoi edhe me përplasje fizike mes protestuesve dhe policëve që mbanin kordonin.

“Kufiri juaj është larg nesh, asnjë deputet nuk ka mandat t’i cenoj trupat tanë e as t’i kthejë prapa të drejtat e fituara me mund e përpjekje. Asnjë polici e asnjë kordon nuk mundet me na ndalë ne”, tha Anita Mjeku-aktiviste, Kolektivi Mendim dhe Veprim Feminist.

Dita ndërkombëtare e gruas u shënua me aktivitete edhe nga kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti që tha se ekzekutivi i udhëhequr nga ai punon në drejtim të fuqizimit të grave.

“Fuqizimi i pozitës së grave në shoqëri, e vecanërisht fuziqimi i pozitës ekonomike të saj është njëra ndër ndryshimet thelbësore që qeveria jonë ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit”, u shpreh Albin Kurti-Kryeministër i Kosovës.

Në Kosovë gjatë vitit 2023 pati rritje të numrit të rasteve të dhunës me baza gjinore. Sipas autoriteteve, në vend u regjistruan mbi dy mijë raste të dhunës në familje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA