Mijëra studentë në Athinë protestojë! Janë kundër krijimit të universiteteve private në Greqi

08/03/2024 13:12

Mijëra studentë po marshojnë në rrugët e Athinës në një protestë kundër projektligjit të ri të arsimit që kërkon të aprovojë sot në mbrëmje në parlament, qeveria konservatore e kryeministrit Mitsotakisi, cili parashikon krijimin për herë të parë të universiteteve private në Greqi.

Studentët, profesorët  dhe stafi i universiteteve kanë organizuar protesta të përsëritura gjatë javëve të fundit kundër reformës së planifikuar, duke thënë se ajo do të zhvlerësojë diplomat e  universiteteve shtetërore  dhe do të reduktojë më tej fondet qeveritare për arsimin publik, në një moment kur qeveria shpenzon për këtë sektor vetëm 3-4% të PPB , shifër nën mesataren e BE-së.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në fjalimin e tij në parlament u ka kërkuar deputetëve të miratojnë projektligjin në fjalë, i cili lejon universitetet e huaja private të krijojnë degët e tyre  në Greqi.

Sipas kreut të qeverisë kjo është një reformë shumë e nevojshme e cila do të ndihmojë ndalimin e një eksodi prej gati 50.000 studentëve grekë që studiojnë në universitetet jashtë vendit, fakt që ka privuar ekonominë vendase, ndërsa detyron familjet greke të shpenzojnë para jashtë shtetit dhe jo në Greqi.

Mitsotakis ka theksuar gjithashtu  se ligji për arsimin do të ndihmojë Greqinë ti afrohet nivelit europian të edukimit universitar dhe të rrisë konkurrencën në arsimin e lartë.

Ndërkohë që gjithë partitë opozitare kanë kundërshtuar ashpër projektligjin, ai pritet të miratohet pasi qeveria konservatore mbështetet nga 158 deputetët e saj në parlament.

Top Channel