Biden i bën thirrje Kongresit të miratojë ndihmën për Ukrainën: Nëse dikush mendon se Putin do të ndalet, i them se…

08/03/2024 07:12

Kritika për kundërshtarin e mundshëm republikan Donald Trump, zotim për mospërkulje para Vladimir Putinit, thirrje Kongresit për të miratuar ndihmën e Ukrainës, fjalimi i fundit i Joe Bidenit drejtuar kombit përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ishte ndër më të zjarrtët që presidenti amerikan ka mbajtur.

Më shumë se 13 herë e përdori Bidenin fjalën “paraardhësi im” duke iu referuar Trumpit në fjalimin që zgjati për më shumë se një orë. Ai e akuzoi politikanin që me shumë gjasë do të sigurojë biletën republikane për në zgjedhje si njeri që është nënshtruar para Rusisë, e padyshim, nuk la pa e kritikuar për sulmin e Capitolit dhe për komentet ndaj NATO-s, në të cilat dukej sikur praktikisht e ftonte shefin e Kremlinit të pushtonte vendet e aleancës që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

“Tani paraardhësi im, një ish-President republikan, i thotë Putinit, po e citoj, ‘Bëj çfarë të duash. Unë mendoj se kjo është e rrezikshme dhe e papranueshme”, tha Biden.

Po kështu, teksa insistoi t`i jepet drita jeshile fondeve shtesë për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, i përcolli dhe Putinit një mesazh të drejtpërdrejtë.  

“Mesazhi im për presidentin Putin, të cilin e njoh për një kohë të gjatë, është i thjeshtë. Ne nuk do të largohemi. Ne nuk do të përkulemi. Unë nuk do të përkulem. Putini i Rusisë është në marshim, duke sulmuar Ukrainën dhe duke mbjellë kaos në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Nëse dikush në këtë dhomë mendon se Putini do të ndalet në Ukrainë, unë ju siguroj se ai nuk do të ndalet. Por Ukraina mund ta ndalë Putinin nëse ne e mbështesim Ukrainën me armët që i nevojiten për t’u mbrojtur. Kjo është gjithçka që kërkon Ukraina. Ata nuk po kërkojnë ushtarë amerikanë. Në fakt, nuk ka ushtarë amerikanë në luftë në Ukrainë. Por tani ndihma për Ukrainën po bllokohet nga ata që duan që ne të tërhiqemi nga roli udhëheqës në botëror”, tha Biden.

Duke përshëndetur anëtarësimin e Suedisë në NATO, Biden u shpreh se aleanca është sot më e fortë se kurrë, ndërsa i bëri vend në fjalimin e tij edhe situatës së rëndë humanitare në Gaza dhe përsëriti thirrjet për Izraelin që të mos e konsiderojë çështje dytësore dërgimin e ndihmave për civilët e bllokuar nga luftimet mes Hamasit dhe ushtrisë së shtetit hebre.

Top Channel