Alibeaj zbardh negociatat sekrete mes PS dhe grupit të Berishës: Po bëjnë pazar, në emër të PS nuk mund të flasë asnjë…

08/03/2024 14:13

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas negociatave të nisura mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit për normalizimin e situatës në Kuvend.

Deputeti thekson se nëse është e vërtetë që në bisedime ka dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore, atëherë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë.

Alibeaj shton se në emër të Partisë Demokratike nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i kryeministrit Rama,

“Dy sqarime që publiku ka nevojë t’i dijë lidhur me negociata sekrete apo marrëveshje okulte të përfolura në media:

1. PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanëshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha.

2. Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës”, shkruan Alibeaj.

Kujtojmë se një ditë më parë, Top Channel mësoi se po zhvillohen negociata që “zbusin” zemërimin e Rithemelimit dhe rikthejnë qetësinë në Kuvend.

Mësohet se socialistët janë të gatshëm të lëshojnë pe dhe të plotësojnë një pjesë së listës së kërkesave të opozitarëve për hir të normalitetit parlamentar.

Nga 8, shumica parlamentare është e gatshme t’i ofrojë pakicës ngritjen e 2 komisioneve hetimore, të cilat duhet të kenë dakordësi dhe objekt konkret.

Zhbllokimi i hetimit parlamentar synohet të mos jetë produkti i vetëm i negociatave. Dakortësi po kërkohet edhe për reformën zgjedhore, por zgjidhja e ofruar nga Gazment Bardhi nuk e sheh si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn.

Ndryshe nga sa kërkohet, socialistët nuk kanë në plan te trazojnë më shumë ujërat në radhët e opozitës duke i hequr të mandatuarit të Bashës karrigen e drejtimit në reformën elektorale, por nuk kanë në plan as të tolerojnë zvarritje.

Në rast se deri më 25 mars, Komisioni nuk do ketë produkt konsensual me deputetët e Lulzim Bashës do të shihet një tjetër rrugë.

Komisionit nuk do t’i zgjatet më afati dhe puna për reformën elektorale pritet të zhvendoset në organe të tjera të Kuvendit ku pesha negociuese e Enkelejd Alibeaj humbet bashkë me veton.

Një marrëveshje e mundshme mes PS dhe Gazment Bardhi duket se nuk ka lënë indiferent PD zyrtare, e cila mesa duket ndihet e rrezikuar për pozicionin dhe peshën e saj negociuese me mazhorancën.

Pas sinjaleve që mori në Kuvend, Enkelejd Alibeaj nxitoi të shfaqej nga selia me qira duke rishprehur gatishmërinë për të bashkuar kartonët me socialistët për amnistinë penale.

Burimet gjithashtu bënë të ditur se në negociata ka hyrë edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila ka thirrur në një takim kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi dhe kreun e grupit të PD-së, Gazment Bardhi për të dakordësuar një zgjidhje.

Siç mësohet, PS-ja është e gatshme të votojë pro ngritjes së dy kmisioneve hetimore parlamentare, me kushtin që objekti i veprimtarisë së tyre të jetë i dakordësuar.

Në të njëjtën kohë socialistët janë gati të pranojnë edhe ndryshimin e bashkëkryetarit të komisionit të reformës Zgjedhore, ku në këtë rast do të largohej Enkelejd Alibeaj dhe në vend të tij do të emërohej, Oerd Bylykbashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA