Hetimet për konfliktin mes 39-vjeçari nga Shijaku dhe 22-vjeçares nga Venezuela, që ndodhi një ditë më parë, vijojnë ende, por nuk ka të ndaluar.
Të dy kanë deklaruar se janë njohur dhe kanë rënë dakord të kenë një raport intim, pa pranuar se ky raport është ofruar kundrejt pagesës, gjë që do t’i vinte të dy para kryerjes së një vepre penale. Për një shkak krejt banal, të dy janë përfshirë në një sherr fizik dhe për t’i shpëtuar dhunës, vajza nga Venezuela është hedhur mbi tendën e lokalit, nga ku ka zbritur vetëm pas ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës dhe policisë.
Në polici, vajza ka mohuar ushtrimin e prostitucionit, po ashtu dhe 39-vjeçari mohon se ka paguar para për të marrë shërbim prej saj. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në qendër të qytetit të Durrësit, në një godinë ku jepen apartamente me qira. Darjana Linares nga Venezuela së bashku me tri shoqe, kanë marrë një apartament me qira në katin e dytë të godinës. Konflikti sipas policisë, ndodhi për motive të dobëta, ndërsa vijojnë hetimet për të vërtetuar dyshimet se e huaja ushtronte prostitucion në këtë apartament në qendër të qytetit.
Pas ngjarjes dhe dërgimit në spital të 22-vjeçares, shoqet e saj kanë tentuar të largohen nga apartamenti, duke shtuar dyshimet për veprimtarinë e tyre në Durrës.
Top Channel