Negociatat treditore me Hamasin në Egjipt për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelite, përfunduan pa sukses.
Për javë të tëra, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti ishin angazhuar të ndërmjetësonin arritjen e një marrëveshjeje e cila të hynte në fuqi mundësisht me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili u përcaktua deri diku si një afat jozyrtar për një pakt të mundshëm. Ideja e marrëveshjes ishte që Hamasi të lironte rreth 40 pengje në këmbim të një armëpushimi gjashtë javësh, lirimit të disa të burgosurve palestinezë dhe futjes së ndihmave në përgjigje të katastrofës humanitare në Rripin e Gazës.
Por dy zyrtarë në Kajro e pohuan tashmë se raundi i fundit i diskutimeve u mbyll, ndërsa duket se Hamasi ka prezantuar një propozim që ndërmjetësit do ta diskutojnë me Izraelin ditëve të ardhshme. Grupi militant nuk pranon të kthejë rreth 100 pengjet që po mban dhe kufomat e gati 30 të tjerëve nëse Izraeli nuk ndërptet më parë ofensivën, nuk tërhiqet nga Gaza dhe nuk liron një numër të madh të burgosurish palestinezë, përfshirë militantë të lartë që po vuajnë dënim të përjetshëm.
Për SHBA-në, problemi në mosarritjen e ujdisë është pikërisht organizata palestineze, për të cilën zyrtarë amerikanë thonë se nuk kanë besim se është e interesuar për arritjen e një marrëveshje duke pasur parasysh që Hamasi ka kundërshtuar kërkesat që Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët besojnë se janë legjitime, përfshirë dhënien e listave me emrat e pengjeve që do të lirohen. “Hamasi ta ndajë mendjen,” ishte mesazhi që dërgoi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
“E kemi një mundësi për armëpushim të menjëhershëm për t’i kthyer pengjet në shtëpi, që mund të rrisë shumëfish sasinë e ndihmës humanitare për palestinezët në nevojë dhe mund të krijojë kushtet për një zgjidhje të qëndrueshme. Por Hamasi duhet të vendosë nëse është i gatshëm të angazhohet”, tha Blinken.
Hamasi megjithatë nuk e pranon përgjegjësinë për këtë situatë; zëdhënësi i tij, Jihad Taha tha se negociatat po vazhdojnë por “topi është në fushën e Izraelit.”, teksa kujtoi se shteti hebre deri tani ka refuzuar kërkesat e grupit për të lejuar kthimin e njerëzve që janë larguar nga pjesa veriore e Gazës dhe që të ofrojë garanci për një armëpushim afatgjatë dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.
Top Channel