Inside Story/ “I murosa librat për t’i mbrojtur nga vandalizmat”, historia epike e gruas që u përball me “Bandat e Vlorës” në ’97-ën

06/03/2024 21:34

Në kulmin e marrëzisë që përfshiu Vlorën në fillimvitin 1997, Liljana Gjika, do të dëshmonte një akt qytetarie të rrallë.

Ajo ishte drejtoreshë e bibliotekës së Vlorës, një prej qyteteve që përjetoi situatën më shpërthyese. Në fund të janarit, e telefonuan për ta informuar se protestuesit kishin sulmuar bibliotekën.

“Jam shokuar. Më bëhet një lëmsh i madh kur kujtoj atë marrëzi që nuk kishte ngjyra politike”, u shpreh Liljana Gjika, Ish-drejtuese e Bibliotekës, Vlorë.

“Turma njerëzish ishin vërsulur në ambientet e bibliotekës dhe merrnin libra me çanta, me kuti. Vete atje mora dhe djalin dhe u flas atyre çfarë bëni çfarë bëni, për një moment ngelën. Erdhën edhe njerëzit dhe punonjësit vajta tek komunteti i shpëtimit, shumë e tronditur me lot me sy…më ndihmojnë duke më dërguar dy djem edhe ata me armë”, u shpreh Liljana Gjika,ish-drejtuese e Bibliotekës së Vlorës.

Në këtë bibliotekë ruheshin 120 mijë ekzemplarë për të rritur dhe 50 mijë për fëmijë. Duke qenë se ndodhej fare pranë portit, të dëshpëruarit që nuk iknin dot ia nxirrnin inatin tempullit të dijes. Liljana nuk u dorëzua, por nisi një betejë epike duke i murosur librat për ti mbrojtur nga aktet vandale.

“Me djalin dhe shokët e tij, blemë tulla, blemë zhavorr që të murosja muret sepse kjo gjë ndodhte çdo ditë dhe unë ditë për ditë bëja të njëjtën gjë si kështjella e Rozafës që ndërtohej ditën e natën shkatërrohej. Kemi bërë 12 mure, i murosëm librat”, u shpreh ajo.

Dy dhoma të shtëpisë i boshatisi dhe i mbushi me koleksionin më të rrallë që gjendej në bibliotekë, si e vetmja mundësi shpëtimi. Koleksioni përfshinte enciklopeditë, të gjithë sektorin e albano-balkanologjisë si dhe koleksionin e vjetër të gazetave dhe dokumenenteve.

“Hapnim mure natën, merrnin libra kot, i hidhnin edhe unë kam bërë gjithë ato cmenduri. Hapnin zvagra merrja mashka të mëdha dhe shkruaja me shkronja të mëdha: O Njerëz ju lutem mos i dëmtoni librat, janë vlerë për ju, nuk e ke idenë se sa kg gozhdë kam blerë për të ruajtur dritaret”, tha Liljana Gjika,ish-drejtuese e Bibliotekës së Vlorës.

Në fund të marrëzisë biblioteka kishte humbur më shumë se 50% të fondit, por koleksionet e rralla shpëtuan. Sot gjenden të stivosura me krenari në bibliotekën e Vlorës, aty ku edhe u takon.

Të gjitha këto sektorë që shihni, janë librat e shpëtuar nga Liljana. Kjo, është historia e jashtëzakonshme e një njeriu të zakonshëm, që në atë kohë, konsiderohej jo normal për betejën që kishte ndërmarrë në një Shqipëri që vlonte nga kaosi.

“Më gufon zemra kur jam para këtyre librave, janë vlera shumë të mëdha, të parikuperushme. Të njëjtën gjë do ta bëja përsëri dhe madje më me shumë forcë“, u shpreh Liljana Gjika,ish-drejtuese e Bibliotekës së Vlorës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA