Inside Story/ Çmenduria e “Piramidave” apo skenar i agjenturave fqinje, çfarë e zhyti në kaos Shqipërinë e Marsit 1997…?!

06/03/2024 21:37

Hartuesit e raportit të komisionit parlamentar që “Inside Story” e publikon të plotë për herë të parë, kanë arritur në konkluzionin se është kryer një veprimtari e gjerë kriminale dhe antiligjore.

Një veprimtari që bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe tërësinë ligjore.

Raporti citon se asgjë nuk ishte e rastësishme, por e tërë kjo veprimari kriminale ishte në strategjinë e hartimit e të zbatimit të një plani, të paramenduar nga ish krerët e shtetit.

Spartak Ngjela ka një tjetër variant për fillesën e revoltave kundër qeverisë së asaj kohe. Për këtë arsye, ai doli me një raport të vetin që mohonte konkluzionet e raportit zyrtar që u miratua.

‘Kundërshtarët për të rrëzuar regjimin e Berishës futën dy firma fallco, “Populli” dhe “Xhaferri”. Ishin spekulante sepse kishin interesa enorme, dhe të gjithë u turrën tek ata. Duke u turrur tek ata dhe njërin e kishin ngritur kundërshtarët për të rrëzuar Sali Berishën, i cili në atë kohë ishte në konflikt edhe me perëndimin’ Ish- kryetar i komisionit hetimor ‘97

‘Dyshime ka që janë hapur nga fqinjët tanë kundërshtarë, dyshime ka që janë një pjellë e mendjes primitive financiare të shqiptarëve të asaj kohe’ u shpreh Spartak Ngjela, Ish-kryetar i komisionit hetimor për ngjarjet e vitit ’97.

Vendime, urdhra, plane sulmesh me avionë e raketa, hapja e depove të ushtrisë do të ishin pasojë e një sërë vendimesh të marra turravrap. Komisioni parlamentar që mori përsipër të hetonte ngjarjet dëshmon se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shërbimi Informativ Kombëtar dhe FMN kishin dhënë paralajmërime për skemat piramidale.

‘Nga hetimi i këtij fenomeni dhe nga burime dokumentare të kqyrura në SHIK, rezulton se ky ka qenë i informuar në mënyrë të rregullt gjatë vitit 1996 dhe ka informuar dhe institucionet e larta të shtetit, përfshirë presidentin dhe qeverinë, për të gjitha grumbullimet dhe kërkesat e njerëzve dhe japin të kuptojnë se këto revolta do të vijnë duke u shtuar’.

Top Channel