Divorci në familjen mbretërore duket se nuk kaloi qetësisht ashtu siç pretenduan Princ Leka dhe Elia Zaharia kur njoftuan ndarjen.
Pasditen e 6 marsit të dy u paraqitën në komisariatin nr.1 në Tiranë ku denoncuan njëri-tjetrin për dhunë.
I pari kallëzoi Princ Leka i cili para uniformave blu tha se është sulmuar pasditen e 5 marsit nga ish-bashkëshortja Elia dhe babai i saj Gjergj Zaharia.
Ngjarja ndodhi në oborrin mbretëror pasditen e së martës kur Princ Leka shkoi të takonte të bijën Geralidinën vetëm 3 vjeç.
Aty u përball me ish-vjehrrin Gjergj Zaharia dhe pretendon se u sulmua nga ai jo vetëm verbalisht por edhe fizikisht duke i shqyer xhupin dhe goditur me shkelma dhe sende te forta. Dëshmitarë për ngjarjen ka qenë dhe vajza e vogël.
Të dhunshëm e përshkruan këtë episod dhe Gjergj Zaharia i cili ka thënë para uniformave blu se është i moshuar dhe nuk e ka dhunuar Princin por është mbrojtur prej tij. Gjatë këtij episodi ku Princi dhe Gjergj Zaharia janë përballur me njëri-tjetrin Elia nuk ka qenë e pranishme por është bashkuar më vonë dhe ka kërkuar sqarime nga Princi pse ka dhunuar të atin dhe e ka kërcënuar se do ta denoncojë.
I pari që ka shkuar në komisariat ka qenë Princ Leka i cili si provë ka dorëzuar këtë video të xhiruar me celularin e tij.
Në komisariat ka shkuar dhe Elia Zaharia e cila ka thënë se dhe ajo ka përjetuar dhunë nga Princi dhe për këtë ka kryer kallëzim. Të gjithë palëve të përfshira u është bërë një akt ekspertimi mjeko-ligjor dhe është depozituar kërkesa në gjykatë për urdhër të menjëhershëm.
Top Channel mëson se nga akt-ekspertimi i kryer ndaj Elias ka rezultuar se ka shenja dhune në dorë dhe në krah ndërsa një raport është mbajtur dhe për babain e saj dhe princin.
Princ Leka dhe partnerja e tij aktorja Elia Zaharia, i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare dhe rreth 1 dekadë historie dashurie, fundin e vitit të kaluar, ndërsa zyrtarisht Princi e konfirmoi divorcin më 15 janar.
Princi Leka është trashëgimtari i vetëm i familjes mbretërore shqiptare që është njohur nga oborret e tjera. Familja mbretërore u rikthye në Shqipëri në vitin 2002, duke gëzuar një status të veçante simbolik si pasardhëse e Mbretit Ahmet Zogu që ka qeverisur Shqipërinë në vitet 20-30, kontributi historik i të cilit mbetet ende objekt debati mes historianëve.
Top Channel