BE kërkon “hapësirë” nga SHBA: Industria e armëve të bëhet më efikase dhe e pavarur!

06/03/2024 13:44

Blloku europian po kërkon më shumë pavarësi nga SHBA-ja dhe zgjerim masiv të prodhimit europian të armëve, e ky është dhe qëllimi strategjisë së re të mbrojtjes që Komisioni i BE-së prezantoi në Bruksel.

“Ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, deklaroi zëvendëspresidentja e Komisionit Margrethe Vestager, pavarësisht nëse Donald Trump do të bëhet sërish President i SHBA.

“Ne propozuam arritjen deri në vitin 2030 të objektivit të sigurimit të 40% të pajisjeve në mënyrë bashkëpunuese dhe ndërkohë, që 50% e pajisjeve të sigurohen brenda vetë Bashkimit Europian. Aftësia e përmirësuar për të vepruar do të na bëjë një aleat më të fortë të NATO-s”, tha Margrethe Vestager.

Më shumë armë “Made in Europe” dhe pavarësi më të madhe nga prodhuesit ndërkombëtarë të armëve si SHBA dhe Koreja e Jugut, këtë synon strategjia që Vestager e prezantoi së bashku me Komisionerin për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton dhe Përfaqësuesin e Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Që prej fillimit të luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë dy vjet më parë, vendet e BE-së i kanë blerë në SHBA 70 për qind të armëve që kanë dërguar në Ukrainë. Projektligji për një Program Europian të Industrisë së Mbrojtjes (European Defense Industry Programme, EDIP) kërkon që shtet anëtare të planifikojnë shumë më tepër para për armatimin dhe mbrojtjen krahasuar me më parë: deri në vitin 2030 ato duhet të shpenzojnë “të paktën 50 për qind të buxhetit të tyre të prokurimeve për mbrojtjen brenda BE-së. Deri në vitin 2035 kjo shumë duhet të jetë madje 60 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA