SHBA ka përcjellur letërporosinë për pyetjen e të huajve për çështjen e tragjedisë së Gërdecit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë plotësim të kërkesës së drejtësisë shqiptare, pra cili është statusi i tyre penal, çfarë interesi dhe për çfarë duhen dëshmitë e tyre.
Patrik Henry dhe katër të tjerë janë kërkuar të pyeten nga gjykata e SPAK për Gërdecin. Patrik Henry është përfaqësues i SAC, kompania që ishte e përfshirë në demontimin në Gërdec.
Sipas gazetares Anila Hoxha, në datë 12 maj do të kryhet një video konferencë me pesë përfaqësues të Amerikës, mes tyre përfaqësues të kompanisë Sac. Amerikanët që kërkohen të pyeten me letërporosi janë: Corneilos Henry 3, David Clask Howell, William Merrit Hart, Sidney Macintyre dhe Rodney Taylor.
Si dëshmitarë atyre u kërkohet të japin përgjigje se cili ka qenë aktiviteti i Sac për demontimin dhe çmilitarizimin? Çfarë statusi ka patur në mars 2008 dhe nëse ka qenë me aktivitet të pezulluar?
Sot, në gjyqin për “Gërdecin”, në seancën për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, foli vetëm ish-drejtori Juridik i Ministrisë së Mbrojtjes, Rezart Tërshana, i cili shpjegoi se përse nuk u caktua një çmim për demontimin. Ndërsa Sokol Ngjeci dhe Dritan Minxolli u paraqitën, por nuk folën. Mihal Delijorgji dhe Luan Hoxha nuk u paraqitën gjithashtu, pasi nuk u gjetën në adresën e policisë. Për ta do ripërsëritet njoftimi i tyre, ndërsa seanca e radhës do të mbahet në 13 mars.
Top Channel