Shpërthimi në Lushnjë/ Sipërmarrësi i arrestuar mohon të ketë kontraktuar për punime Roland Hoxhën dhe të birin, që humbën jetën

05/03/2024 15:09

Në lidhje me incidentin e rëndë në magazinën e deputetit Bujar Çela në Lushnjë, ku humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 7 të tjerë, grupi hetimor po heton për 3 vepra penale, ndërtimi paligjshëm, shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe shkelje e rregullave në punë.

Për veprën e fundit, policia vuri në pranga Leonard Gjinin, sipërmarrësin e punimeve, i cili sipas grupit hetimor ka shkelur rregullat e sigurimit teknik.

Para grupit hetimor, Gjini ka mohuar të ketë kontraktuar për punime Roland Hoxhën dhe të birin, por grupi hetimor arsyeton se  me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit ku ndodhi shpërthimi sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtjes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Me vlerë për hetimin, do të jetë dhe dëshmia e deputetit, i cili do të tregojë rrethanat e ngjarjes dhe veprimet konkrete që ka ndërmarrë për tejkalimin e lejes. Sipas verifikimeve të kryera, bashkia Lushnjë ka dhënë leje në muajin shtator 2023 për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme me afat 1-vjeçar, por që pas aktit të konstatimit të kryer një ditë pas ngjarjes nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit.

Nga 1080 metra katror që ishte dhënë leja, tashmë kapanoni ka sipërfaqe rreth 3000 metra katror duke kaluar kështu poshtë linjës së tensionit të lartë. Nga ky incident tragjik, përveç jetëve të humbura, pati dhe një dëm të konsiderueshëm material në biznese e banesa në zonë, të cilat po vlerësohen nga një grup pune i ngritur nga bashkia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA