Mirosllav Lajçak zbaroi sërish sot në Prishtinë për t`u takuar këtë herë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuar nga BE-ja, do të bisedojë “për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike”, siç thuhet në deklaratë. Kosova dhe Serbia e arritën me ndërmjetësimin e bllokut europian ujdinë për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023. Marrëveshja prej 11 nenesh, parashikon mes të tjerash edhe një nivel të caktuar vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka vazhduar të insistojë që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Prishtina zyrtare druhet se një bashkësi e tillë një etnike, mund të dëmtojë funksionimin e shtetit të Kosovës. Zyra e kryeministrit nuk ka hollësi të tjera rreth vizitës së të dërguarit të BE-së, apo nëse ai do të ketë takime me të tjerë zyrtarë kosovarë.

Lajçaku e viziton Kosovën një javë pasi, me ftesë të tij, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan më 27 shkurt në Bruksel për të biseduar për çështjen e një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarit serb në gjithë vendin, ndërsa Bislimi e kishte refuzuar ftesën për të qenë i pranishëm në atë takim me arsyetimin se “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut” për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Top Channel