Lajçak pas takimit me Bislimin: Duam përparim në dialog! Së shpejti mblidhen kryenegociatorët në Bruksel

05/03/2024 13:30

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, Lajçak tha se kjo marrëveshje, e cila ditë më parë ka bërë një vit nga nënshkrimi, është ujdia më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Sipas tij, arsyeja pse ka ngecje në zbatimin e saj është se dy palët kanë frikë siç tha “nëse bëj atë që iu kërkoni, a do të marrë atë që më premtoni”.

“Ne trajtuam një sërë çështjesh, dy më të rëndësishmet kanë të bëjnë me marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, që është një arritje shumë e rëndësishme e dialogut. Dokumenti, i cili është ligjërisht i detyrueshëm në tërësinë e tij, por ka kaluar një vit që kur e miratuam këtë dokument dhe ne do të dëshironim të shohim përparim më të madh në zbatimin e tij dhe kjo ishte një nga çështjet që diskutuam se si të fillojmë zbatimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje… 3:31 Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Unë jam shumë i sigurt për këtë, nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë do të ishte propozuar tashmë. Prandaj është në interesin e të gjithëve që të fillojmë me zbatimin, sepse me këtë marrëveshje kemi përgjigje për pyetjet, ‘çfarë duhet bërë’ dhe ‘si ta bëjmë’. Dhe pyetja e vetme, e cila nuk ka përgjigje, është ‘kur’, dhe pyetja ime është, ‘pse të presim’. Kjo marrëveshje është e mirë, ndaj duhet të fillojmë zbatimin. Ne kemi shpenzuar shumë kohë duke diskutuar renditjen e hapave, kështu që nga të dyja palët ekziston frika se ‘nëse bëj atë që më kërkoni, a do të marr atë që më premtoni’ dhe kjo është ajo që po diskutojmë. Por unë besoj se këto pyetje mund të zgjidhen dhe të përgjigjen lehtësisht”, tha ai.

Lajçak para gazetarëve tha se me Bislimin kanë diskutuar edhe për rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë, për të cilën tha se ka marrë përgjigje për pyetjet e shumta që ka bërë, por që duhet të sigurohen që qytetarët serb në Kosovë të mos ndikohen negativisht nga ky vend.

“Çështja e dytë që diskutuam, e cila është gjithashtu e rëndësishme është rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me pagesat cash. Arsyeja pse po e diskutojmë është se ka dispozita të caktuara në këtë diskutim të cilat janë të rëndësishme për dialogun dhe prandaj është shumë e rëndësishme që ne të diskutojmë edhe këtë. Ju mund ta dini se unë organizova një takim në nivel ekspertësh javën e kaluar në Bruksel, takimi ishte konstruktiv dhe ne mundëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por ka edhe pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe ne po diskutonim këtë çështje me z. Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë, dhe unë jam duke planifikuar të pres një takim tjetër në nivelin e kryenegociatorëve në ditët në vijim. Pra, kjo është arsyeja kryesore e vizitës sime sot në Prishtinë, tha Lajçak.

Madje, ai paralajmëroi se ditëve në vijim do të ketë takim të nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel.

“Unë do të thosha po. Dëgjova përgjigjet e pyetjeve, të shumë pyetjeve që bëra. Më duhet vërtet ta analizoj këtë tani, për të parë nëse i kemi të gjitha përgjigjet apo ka ende pyetje që kërkojnë përgjigje. Ky është procesi, natyrisht, duhet të sigurohemi që në fund të mos ketë njerëz, qytetarë, individë që do të ndikohen negativisht. Ky është sigurisht shqetësimi ynë…Ne gjithashtu duhet të diskutojmë këtë çështje, dhe çështje të tjera në nivelin e kryenegociatorëve, dhe ky do të jetë hapi tjetër”, theksoi Lajçak.

Gjithashtu, Lajçak tha se kanë diskutuar edhe në lidhje me draft-statutin e Asociacionit, propozuar nga euro-amerikanët, derisa theksoi se është në interesin e të gjithëve që të ketë progres të shpejtë në dialogun Kosovë-Serbi./KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA