Një ditë pasi zëvëndespresidentja amerikane Kamala Harris i bëri thirrje si Izraelit, ashtu edhe Hamasit të konsideruar organizatë terroriste nga SHBA-ja, të ulin armët e të arrijnë një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, apelit të saj iu bashkua dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti u shpreh po kështu se Izraeli duhet të gjejë mënyra për të mundësuar dërgimin e më shumë ndihmave në Rripin e Gazës. “I bashkohen zvpresidentes Harris, dhe udhëheqësve të tjerë botërorë në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare. Vdekjet e civilëve dhe vuajtjet në këto muaj që nga sulmi terrorist i Hamasit janë një thirrje urgjente për veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, shkroi ai në platformën X.
Që prej fillimit të luftës pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj shtetit hebre në 7 tetor, ku vranë 1.200 persona dhe rrëmbyen 250 të tjerë dhe ofensivës së egër izraelite nga toka e ajri që e pasoi, Kurti kishte shprehur shqetësimin për krimet e kryera kundër civilëve nga Hamasi në Izrael. Kamal Harris ndërkohë një ditë më parë i mëshoi edhe idesë se njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës po përjetojnë një “katastrofë humanitare”.
Washingtoni është duke insistuar për arritjen e një pushimzjarri në nisje të Ramazanit, që fillon javën e ardhshme. Ai duhet të zgjasë 6 javë dhe në kuadër të tij, dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi, do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite.
Top Channel