Kjo është godina nga ku ra e reja 22-vjeçare nga Venezuela në lagjen nr.2 në Durrës, pas një konflikti fizik me një 39-vjeçar.
Sikurse duket në foto, e reja ka rënë nga distanca e ballkonit në tendë.
Ngjarja ndodhi pasdrekën e së martës në qytetin bregdetar, në një godinë përbri godinës së Prefekturës së Qarkut. 22-vjeçarja ka rënë mbi tendën e një lokali dhe pasi ka marrë informacion për situatën, policia ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës të Durrësit, që ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur zbritjen e vajzës nga tenda.
Gjendja e saj fizike ka qenë e mirë, por jo ajo psikologjike. Autoambulanca që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes e ka dërguar në spital për një kontroll mjekësor.
Policia e Durrësit thotë se e reja nga Venezuela është konfliktuar fizikisht me 39-vjeçarin I.Z dhe janë lënduar lehtë të dy.
Paraprakisht bëhet e ditur nga policia se e reja është hedhur vetë nga dritarja për t’i shpëtuar një sherri në dhomën e hotelit, por ekziston mundësia që mund edhe të jetë shtyrë nga 39-vjeçari.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të konfliktit.
Top Channel