Emri/ Vrau me armë zjarri 33-vjeçarin në Hot të Ri për një vend parkimi, vetëdorëzohet në polici pas disa muajsh i riu

05/03/2024 16:12

24-vjeçari Klodian Mhilli është vetëdorëzuar në polici disa muaj pasi vrau me armë zjarri një 33-vjeçar në Hot të Ri.

Valter Fjerza, 33 vjeç u vra mbrëmjen e 21 shtatorit 2023 në fshatin Hot i Ri të Shkodrës vetëm pak metra larg banesës së tij. I ri po shkonte me makinë në lokalin e fshatit pasi kishte mësuar se i vëllai, Kol Fjerza po konfliktohej me 5 djem të fisit Mhilli.

Sherri mes Kol Fjerzës dhe autorit të dyshuar, Klodian Mhilli kishte lindur për një vend parkimi. Ata kishin pasur edhe një konflikt të hershëm mes tyre, por viktima Valter Fjerza nuk ishte pjesë e konfliktit.

Sipas policisë, falë negociatave të vazhdueshme ndërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe familjarëve të një 24-vjeçari është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka dërguar urdhrin per ekzekutimin e vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka caktuar 24-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA