Bandat e Haitit tentojnë të pushtojnë aeroportin e kryeqytetit, forcat e sigurisë përleshen me të armatosurit

05/03/2024 17:54

Ushtarët janë vendosur për të mbrojtur aeroportin e kryeqytetit haitian, Port-au-Prince nga një sulm i bandave të armatosura.

Dëshmitarët raportuan se dëgjuan të shtëna në afërsi të aeroportit Toussaint Louverture ndërsa forcat e sigurisë u përleshën me njerëz të armatosur, sipas BBC.

Qëllimi i bandave është të parandalojnë kthimin në Haiti të kryeministrit Ariel Henry, i cili besohet të jetë jashtë vendit.

Dhuna është rritur në mungesë të tij me bandat që kërkojnë dorëheqjen e tij.

Henry u largua nga Haiti javën e kaluar për të marrë pjesë në një samit rajonal në Guajana. Nga atje, ai udhëtoi për në Kenia për të nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e një force policore shumëkombëshe në Haiti.

Vendndodhja e tij aktuale nuk dihet, por një zëdhënës i departamentit të shtetit të SHBA tha: “E kuptojmë se kryeministri po kthehet në vend [Haiti]”.

Ndërsa ai ishte në Kenia, një koalicion bandash i udhëhequr nga një ish-oficer policie, Jimmy “Barbecue” Chérizier, sulmuan stacionet e policisë dhe dy nga burgjet më të mëdha të Haitit.

Rreth 12 njerëz u vranë në sulmin në burgje. Mijëra të burgosur u arratisën dhe janë të lirë. Një ministër në emër të Henry shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 72-orëshe.

Gazeta Haitiane Le Nouvelliste raporton se fluturimet komerciale ndërkombëtare dhe kombëtare janë pezulluar ditët e fundit për shkak të dhunës. Le Nouvelliste shtoi se asnjë aeroplan privat nuk ishte ulur apo nisur nga aeroporti.

Një përpjekje e personave të armatosur për të thyer kompleksin e aeroportit përmes një vrime në një mur thuhet se u zmbraps nga forcat e sigurisë.

Kontrolli i aeroportit është kyç për qëllimin e bandave për të ndaluar kthimin e kryeministrit Henri në vend.

Udhëheqësi i bandës i njohur si Barbecue ka bërë thirrje për largimin e tij që kur kryeministri u betua si pasardhës i Presidentit Jovenel Moïse në korrik 2021.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA