Vrasja e Pjerin Xhuvanit! Gjykata e Apelit pranon kërkesën e Arbër Paplekaj, nis ekspertimin: Kush qëlloi tjetër ditën e zgjedhjeve?

04/03/2024 19:51

Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e ish-oficerit të forcave speciale, tashmë i dënuar me 20 vite burg, Arbër Paplekaj, duke vendosur rihapjen pjesërisht të procesit gjyqësor dhe ekspertimin kriminalistik të ngjarjes ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se çështja është riçelur në Apel dhe më 18 mars pritet të betohen ekspertët me qëllim të nisjes më pas nga puna. Nga ngjarja e 2021 në qytetin e Elbasanit, Paplekaj ka këmbëngulur se qëlloi me armë zjarri në kushtet e vetëmbrojtjes, ndërkohë që u ngritën akuza edhe ndaj tetë oficerëve të policisë lokale midis tyre edhe dy funksionarë policie në Elbasan.

Gjykata e Apelit mbasi dëgjoi për gati gjashtë orët palët dhe insistimin e të akuzuarit që kërkoi rindërtim të ngjarjes për të kuptuar mekanizmin se çfarë ndodhi atë ditë, vendosi të kryhet ekspertim tekniko-balistik për të zbuluar se kush qëlloi tjetër ditën e zgjedhjeve. Sipas gazetares Hoxha, Apeli kërkon përcaktimin, ashtu sikurse i dyshuari, të pozicionit të qitsave në vendngjarje dhe distancën mes tyre dhe viktimës Pjerin Xhuvani.

Gjykata gjithashtu urdhëroi prokurorinë të marrë informacion nga Shkalla e Parë mbi vijimin e procedimit të pezulluar për personat që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje si dhe të disponojë me informacion për dy shtetasit Donald Zëre dhe Miles Kurti, të akuzuar se kryen dëshmi të rreme mbi ngjarjen.

Ish-oficeri i forcave speciale, tashmë i dënuar me 20 vite burg, Arbër Paplekaj u shpall fajtor për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, por ai insiston se është i pafajshëm për këtë vepër duke kërkuar rikualifikim të veprës vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike.

Mbrojtja argumentoi asokohe se prokuroria nuk ka marrë parasysh as eskpertizën mjeko-ligjore të kërkuar nga vetë organi i akuzës ku mjekët shprehen se në momentin e ngjarjes Arbër Papleka ka qenë në gjendje të rënduar psikike( e cilësuar si afekti fiziologjik) çka ka sjellë vetëdije të dobësuar dhe e shkaktuar nga rrethanat e një sulmi të papritur i cili ndodhi në pak sekonda dhe ku u desh nje reagim i menjëhershëm i ndodhur nën bresherinë e plumbave për të mbrojtur jetën.

“Kam kaluar testin e integritetit nga agjencitë amerikane kur jam dërguar në Afganistan. Jam dekoruar nga kryeministri për luftën e antiterrorist. Kam qenë 10 vjet me armë në brez. 10 vjet jam përplasur me grupe kriminale dhe kurrë s’e kam përdorur. Pasi më shanë, më dhunuan dhe më qëlluan shokun me plumb më thoni ç’duhet të beja? Nuk pata rrugë tjetër. Nuk desha me e vra atë djalë. Nuk gëzova me e vra atë djalë. Mbrojta jetën teme.

U përballa me instiktet. Jam ish anëtar i forcave speciale. Dhe instikti i parë për të cilin jam stërvitur është të reagoj kur rrezikohet jeta ime apo e dikujt. Në momentin që sheh armën reagon. E njihni teorinë e qenve të Pavollovit? S’kam vepruar me zemër. Kam qenë makineri. Kam reaguar si jam stërvitur për dhjetëra vite”- do të shprehej asokohe Paplekaj.

Shpresoj që në vendimin tënd do të jesh e drejtë. Do jesh e fortë. Do ruash parimet dhe dinjitetin tënd.  Nuk kërkoj drejtësi. Kërkoj vetëm vërtetësi për një akuzë qesharake që më bëhet nga një prokurori që kërkoi të bëjë rolin e ekspertit, rolin e psikologut por nuk bëri vetëm rolin e saj të hetimit të ngjarjes”- iu drejtua Paplekaj gjyqtares gjatë dëshmisë së dhënë në seancën e 7 korrikut të vitit të shkuar.

Oficerët e policisë të hetuar për ngjarjen u dënuan për “shpërdorim detyre”, mbasi nuk vlerësuan në kohë shqetësimin dhe denoncimet si dhe konfliktin e ndodhur midis palëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA