Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e përshëndeti hapjen e bazës ushtarake të Kuçovës si element që kontribuon në rritjen e sigurisë në rajon.

“Hapja e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka thënë Osmani në platformën “X”. Kryetarja e shtetit Kosovar shtoi më tej se atje ku është NATO, ka paqe dhe stabilitet. Një mesazh të ngjashëm ajo e kishte dërguar edhe në fund të janarit, kur tha se përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe, e më pas në NATO, është garanci për stabilitet në rajon. Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Qeveria e Kosovës e ka formuar një grup pune për anëtarësimin në këtë program. Shtetet e Bashkuara e kishin mbështetur anëtarësimin e Kosovës në realizim të këtij synimi por duke rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës. Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 26 prej tyre, ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo. Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.

Pas rikonstruksionit të bazës së Kuçovës, Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkoi që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA