Familja e Roland dhe Lidio Hoxhës, që humbën jetën në shpërthimin tragjik në një magazinë në Lushnjë, do të marrin ndihmë financiare.
Këshilli bashkiak i Lushnjës miratoi ndihmën e menjëhershme për familjen e viktimave. Shuma ishte parashikuar 300.000 lekë, por nga anëtarët e Këshillit u propozua që kjo vlerë të arrinte në 500.000 lekë. Fondi është parashikuar për shpenzimet e varrimit.
Kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, u shpreh se është ngritur dhe një grup pune për evidentimin e të gjitha dëmeve që shkaktoi ky shpërthim në banesa dhe biznese.
Ndërsa kryetari i këshillit të opozitës, Kelment Çela, në një deklaratë pas mbledhjes, kërkoi që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht dhe të gjenden shkaqet se nga ndodhi shpërthimi.
Roland Hoxha dhe i biri, Lidio, ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës. Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve.
Nga fuqia shpërthyese, u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej dy mandatesh në Lushnjë, Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë, të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij.
Top Channel